Kongresistja Grace Meng takon botuesin e gazetës “Illyria” Vehbi Bajrami, pranon të bëhet anëtare e Kaukusit Shqiptar në Kongresin amerikan

Iliria News Agency
Iliria News Agency

24/03/2023

shkruan Ruben Avxhiu

Botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, u takua këto ditë, në Manhattan, me kongresisten e njohur Grace Meng, me kërkesën e kësaj të fundit. Gjatë takimit u diskutua për komunitetin shqiptaro-amerikan, rëndësinë dhe shqetësimet e tij, për Kosovën dhe çështje të tjera.

Grace Meng është kongresiste amerikane që përfaqëson Distriktin e 6 të New York-ut, në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan.

Ajo është, veç të tjerash, anëtare e Komitetit të fuqishëm të Përcaktimeve si dhe anëtare e NënKomitetit të Shtetit, të Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Lidhura me to.

“Patëm një dialog të frytshëm për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, si dhe lidhjet dhe aktivitetin e fuqishëm të komunitetit shqiptar në mbështetje të Kosovës, gjatë gjithë historisë”, u shpreh botuesi Bajrami pas takimit.

Me këtë rast, ai i kërkoi kongresistes Meng që të bëhej anëtare e Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan, një kërkesë të cilën kongresistja e njohur e pranoi me kënaqësi.

“Ishte një kënaqësi që u takova me Vehbi Bajramin, botues i gazetës Illyria, një udhëheqës i komunitetit shqiptaro-amerikan, dhe veprimtar e avokat i hershëm i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, tha ajo në një deklaratë për median pas përfundimit të takimit. “Për të vijuar diskutimin tonë të frytshëm, jam krenare të njoftoj se do të bashkohem me Kaukusin dypartiak të Çështjeve Shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesve”.

Meng është një demokrate që përfaqëson pjesë të lagjes Queens, duke përfshirë Bayside, Flushing, Forest Hills, Fresh Meadows, Glendale, Kew Gardens, Maspeth, Middle Village dhe Rego Park, ku jetojnë shumë shqiptarë. Ajo ka dëshirë që të bëhet edhe zëri i tyre në Kongres.

E zgjedhur fillimisht në vitin 2009, ajo është kongresistja e parë aziatiko-amerikane në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Vehbi Bajrami tha se dialogu mund të funksionojë vetëm nëse Kosova dhe Serbia ulen përballë si dy shtete të barabarta.

Ai u shpreh se vetëm presioni mund ta detyrojë Serbinë që ta marrë procesin seriozisht. “Është e papranueshme”, tha ai, “që më shumë presion publik i është bërë Kosovës sesa Serbisë, që provokon trazira në shtetet fqinje e refuzon të vendosë sanksione kundër Rusisë”.

“Asosiacioni i Komunave Serbe në Kosovë, me të drejta ekzekutive do të ishte një Republikë e re Srpska në Ballkan, një sabotim i shtetit të

Kosovës. Në vend të kësaj duhet që të drejtat e shqiptarëve në Serbi të jenë njëjta me ato të serbëve në Kosovë”, tha botuesi Bajrami.

Ai vuri në dukje se Kongresi ka votuar unanimisht për çështjen e Vëllezërve Bytyqi si kusht për marrëdhëniet me Serbinë, por kjo po injorohet nga diplomatët amerikanë. “Në vend që ta ngrenë këtë çështje sa herë që takohen me Presidentin Vuçiq, ata e kanë lënë në harresë”.

Me këtë rast, ai i paraqiti kongresistes dhe stafit të saj një dokument të posaçëm që informon për problemet kryesore me të cilat përballet Kosova dhe shqiptarët në rajon.

Duke vënë në dukje anëtarësinë e saj në Nënkomitetin e Shtetit dhe të Operacioneve të Jashtme si dhe influencën e saj në Kongres, botuesi

Bajrami loboi pranë kongresistes Meng që të ndihmojë në fuqizimin e Ushtrisë së Kosovës, me fonde, pajisje, dhe ekspertizë. Ai i nënvizoi ligjëvënëses amerikane se Kosova është vendi më proamerikan në botë dhe një forcim i Kosovës si shtet dhe si ushtri do të ishte një forcim i interesave amerikane në botë.

“Do të vijoj të ndjek zhvillimet në Ballkan dhe dëshiroj të ndërtoj marrëdhënie më të forta me komunitetin shqiptar në distriktin tim dhe më gjerë në mbarë New York-un,” thuhet veç të tjerash në deklaratën e saj pas takimit me botuesin Bajrami.

Ky është takimi i radhës që botuesi i gazetës “Illyria” ka bërë me anëtarë të Kongresit Amerikan për të lobuar për Kosovën dhe kauzën shqiptare. Ai është angazhuar për më shumë se 30 vjet në lobimin shqiptar në SHBA.

Për punën e tij të palodhur në shërbim të kombit, Vehbi Bajrami është nderuar me Urdhërin Kalorës i Skënderbeut nga Presidenti i Shqipërisë.

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

diaspora kroaci

Takime vëllezërore me shqiptarët e Kroacisë

IMG_1293

Krerët e VLEN-it në Berlin: Diaspora i thotë po ndryshimit

IMG_1267

Djaloshi që la Amerikën për të veshur uniformën e policisë së Kosovës

REXHEPI

Rexhep Rexhepi,Mocarti i prodhimit të orëve zvicerane

taravari kurti

Arben Taravari dhe Kryeministri Albin Kurti vizitojnë Zvicrën

pliizzr

Arrestimi i këngëtarëve shqiptarë në Zvicër, deklarata e fortë e koleges së tyre: Mirë ua bënë, vinë e dredhin by**ët dhe…

treni

Me tren falas për në Evropë, BE dhuron 35 mijë bileta për të rinjtë

IMG_1227

Shqiptarët mbeten pa deputet në Kroaci, Ermina Lekaj Prljaskaj nuk siguroi votat e duhura

zvicra

Zvicra, vendi më tërheqës për të bërë biznes

INFO

NA NDIQ