Konjufca: Tërheqja e mjeteve nga Trusti dëmton skemën pensionale

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka komentuar ndërprerjen e seancës së sotme plenare, ku pritej votimi i projektligjit për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve të qytetarëve nga Trusti.

Ai e ka quajtur të gabuar idenë e tërheqjes së mjeteve nga Trusti, pasi me këtë thotë se do të dëmtohej edhe skema e mjeteve pensionale.

“Me këtë shkatërrohet Trusti. Heqja e qindra miliona eurove të Trustit do të dëmtojë skemën, por edhe besueshmërinë e Kosovës në skenën ndërkombëtare”, ka thënë ai në ATV, duke shtuar se shpërndarja e mjeteve të Trustit do të ishte me efekt shumë të vogël për qytetarët.

I pyetur se a do të ketë pasoja politike për Lëvizjen Vetëvendosje nëse nuk kalon projektligji për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga Trusti, Konjufca tha se mendon se nuk do të duhej të ndëshkoheshin deputetët.

Konjufca ka treguar se ai personalisht nuk kishte tërhequr herën e kaluar 10 për qind të mjeteve të Trustit gjatë krizës me pandeminë, shkruan ATV LIVE.