Konsulli i shkarkuar Kqira sfidon presidenten: Nuk e njoh vendimin

0

Konsulli në Shkup, Lindon Kqira, i shkarkuar të mërkurën nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk e njeh vendimin.

Ai përmes një statusi në Facebook, të enjten, këtë vendim e ka quajtur arbitrar dhe politik.

“Me vetëdije dhe përgjegjësi të plotë, deklaroj se nuk njoh dhe as nuk e përfilli vendimin për shkarkimin tim, nga pozita e Konsullit-Ministrit Këshilltar, në Ambasadën e Republikës së Kosovës, në Shkup, nga zonja Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe u.d. Presidentit të Republikës së Kosovës. Ky vendim në radhë të parë është tendencioz, arbitrar, vendim politik dhe përçarës, e mbi të gjitha është antikushtetues dhe i pa presedan në diplomacinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Kqira e ka këshilluar Osmanin që të merret me punët e Kuvendit të Kosovës, e që sipas tij, që nga ardhja e saj është kthyer në legjislaturën më të keqe.

“Neglizhenca e situatës me pandeminë globale, kriza ekonomike, aprovimi i Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe një varg ligjesh tjera jetike për qytetarët e Kosovës do duhej të ishin në agjendën e saj dhe jo shkarkimet arbitrare, antikushtetuese me qëllim të destabilizimit politik dhe futjes së hutisë në shërbimin diplomatik të Kosovës, në Shkup dhe kudo, për qëllime hakmarrjeje dhe të profiterizmit politik”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se vendimi për shkarkimin e tij është në kundërshtim me Kushtetutën dhe këtë vendim Osmani e ka marrë pa konsultim me MPJD-në dhe Qeverinë.

“Në këto rrethana, kushdo që bënë përpjekje që të zbatojë këtë vendim të njëanshëm, përfshihet në shkelje Kushtetuese. Veprimet e mia karshi këtij vendimi, do të jenë në përputhje me dispozitat ligjore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe paralajmëroj se kundër këtij vendimi arbitrar të kryekuvendares, Osmani, do ta ndjekim rrugën ligjore, ndërsa unë do të vazhdoj normalisht punën dhe angazhimet ditore në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup”, ka thënë ai.