Koronavirusi mbylli 5 mijë biznese në Kosovë, prodhuesit vendës kërkojnë ndihmën e shtetit

0

Rreth pesë mijë biznese janë shuar si pasojë e pandemisë, teksa ky numër fatkeqësisht mund të rritet deri në fund të vitit, raporton Ekonomia Online. E kjo gjë është shqetësuese për kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahinin.

Ai thoë se nga informatat që i ka në terren, procedurat e shuarjes të ndërmarrjeve janë të rënda dhe bizneset kanë hequr dorë nga ajo formë e aplikimit.“Nga marsi e këndej, sipas vlerësimeve tona dhe marrjes së informatave në terren rreth 5 mijë biznese kanë ndalur aktivitetin e tyre, kanë falimentuar dhe kjo është një shqetësim i madh për gjithë shtetin tonë. Besoj që ky numër do të jetë edhe më i madh deri në fund të vitit dhe procedurat e shuarjes të ndërmarrjeve janë të rënda dhe bizneset kanë hequr dorë nga ajo formë e aplikimit, pra këto janë informata të tilla dhe janë të sakta”, tha ai.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Shahini thotë se ekonomia kosovare ka pësuar rënie nga investimet e huaja dhe ka rënë interesi i bizneseve vendore për investime të reja.

“Ekonomia e vendit po ballafaqohet me një rënie të rëndë, qoftë nga investimet e huaja, qoftë nga rënia e interesit të bizneseve vendore për investime të reja. Kanë rënë edhe investimet e diasporës, ku kemi pasur vetëm 10 për qind të asaj që kemi pasur vitin e kaluar, e që tregut të Kosovës i mungojnë rreth 500 milionë euro para të freskëta në xhepat që kanë ardhur nga diaspora”.“Fondi emergjent i cili më shumë se 170 milionë euro, është ende i implementueshëm tërësisht në mungesë të ligjeve, e që deputetët e papërgjegjshëm po hezitojnë që ta qojnë dorën dhe ta ndihmojë sektorin privat”, tha ai, teksa tha se deputetët kanë përgjegjësi publike që në momente të caktuar ta lejnë anash interesat politike për ta ndihmuar sektorin privat dhe ekonominë e vendit.