Koronavirusi nxit frikën e trazirave sociale në Europë

0

Qeveritë evropiane po përpiqen të hartojnë plane radikale për t’u përballuar me një valë të dytë të koronavirusit, që pritet të shpaloset më vonë gjatë këtij viti. Rastet e reja me koronavirus që po përjetojnë aktualisht disa vende nuk është një valë e dytë, por zhvillimi i valës së parë të pandemisë, sipas disa zyrtarëve dhe ekspertëve të sëmundjeve infektive.

Qeveritë po përpiqen me dëshpërim të shmangin vendosjen e masave izoluese në mbarë vendin, apo mbylljen e ekonomive tashmë të dëmtuara rëndë.

Kryeministri i Britanisë Boris Johnson ka thënë se një mbyllje e dytë do të ishte e ngjashme me shpërthimin e një bombe bërthamore. Për ta shmangur këtë konservatorët në pushtet po mendojnë që të nxjerrin një urdhër që detyron të gjithë britanikët mbi 50 vjeç të qëndrojnë në shtëpi, nëse vendi përballet me një valë të dytë të koronavirusit.

Ky propozim ka nxitur zemërimin e shtypit tabloid të vendit, lexuesit e të cilit janë përgjithësisht mbi pesëdhjetë vjeç. Gazeta “Daily Mail” shkruante se masa do të ishte një diskriminim për shkak të moshës. Gazeta paralajmëroi se një strategji e tillë do të ishte e gabuar sepse nuk arrinte të vlerësonte kontributin e rëndësishëm që britanikët më të mëdhenj në moshë japin në ekonomi dhe rrezikon të stigmatizojë të moshuarit.

Pas një fundjave tjetër ku me dhjetëra mijëra të rinj nuk i zbatuan rregullat e distancimit social në të gjithë Britaninë, duke mbushur plazhe dhe duke mbajtur festa të improvizuara në rrugë, kritikët thanë se qeveria duhet të vendosë si përparësi zbatimin e rregullave ekzistues të distancimit shoqëror dhe mbajtjes së maskave.

Një ish këshilltare për qeverinë britanike, Joan Bakeëell tha se ministrat duhet të zgjidhin problemin e të rinjve që injorojnë rregullat mbi pandeminë.

“Sigurisht që të moshuarit duhet të kujdesen, unë po e bëj për veten time, por ajo që po ndodh është se të rinjtë nuk po ruajnë distancën fizike dhe nuk po vendosin maska. Të rinjtë duhet ta bëjnë këtë”, tha ajo.

Britania nuk është i vetmi vend evropian që po përjeton me nervozizëm ringjalljen e rasteve dhe që i druhet kthimit në ditët e zymta të marsit dhe prillit, kur virusi po përhapej me shpejtësi në të gjithë kontinentin, duke nxitur qeveritë të vendosin kufizime. Qeveritë evropiane po nxitojnë të grumbullojnë mjete mbrojtëse personale dhe ilaçe në pritje të një dimri që mund të krijojë sërish vështirësi për sistemin e kujdesit shëndetësor.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se duhet hequr dorë nga të menduarit për sezon e valë të pandemisë. “Ajo që ne të gjithë kemi nevojë të mendojmë është se ky është një virus i ri e që sillet ndryshe”, tha Margaret Harris, zëdhënëse e agjencisë së OKB-së, në një konferencë shtypi virtuale në Gjenevë. Sipas zonjës Harris virusi po shpaloset si “një valë të madhe”, duke vërejtur se numri i përgjithshëm i raste është dyfishuar gjatë më shumë se një muaji.

Tridhjetë e gjashtë vende evropiane kanë shënuar një rritje të infeksioneve në shtatë ditët e fundit, me një mesatare më të madhe se javën e kaluar. Vendet me masa më pak të rrepta po përjetojnë një shkallë më të lartë të infeksionit, sipas shkollës “Blavatnik” në universitetin e “Oksfordit”.

Jose Vazquez-Boland, një ekspert i sëmundjeve infektive në universitetin e “Edinburgh”, paralajmëron se “do të ketë ringjallje të rasteve të reja sa herë që hiqen masat kufizuese e për sa kohë që virusi mbetet në qarkullim”.

Ndërkohë trajektorja e COVID-19 e Italisë po vazhdon të rrafshohet megjithë lehtësimin e saj të konsiderueshëm të masave të bllokimit. Por duke u përgatitur për një rritje të rasteve, senati italian miratoi javën e kaluar kërkesën e Kryeministrit Conte për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme të vendit deri më 15 tetor, duke i mundësuar atij fleksibilitet më të madh në nxjerrjen e masave kufizuese të lokalizuara.

Greqia ka urdhëruar vendosjen e maskave me detyrim në dyqane dhe në të gjitha ndërtesat publike. Autoritetet franceze kanë paralajmëruar qytetarët të jenë shumë vigjilentë.

Megjithë argumentimin e Brukselit, se pandemia mund të tejkalohet nëse shtetet e BE-së shfaqin solidaritet dhe përpiqen të koordinojnë nismat e tyre, qeveritë e vendeve evropiane nuk kanë tjetër mundësi veçse të zbatojnë strategjitë e tyre lokale.

Duket se një gjë të tillë po e kërkojnë zgjedhësit e tyre dhe secili vend ka sfidat e veta unike për të kapërcyer, thonë analistët. Ndërkohë po ndodhin disa disa lëvizje hakmarrëse. Pasi holandezët paralajmëruar kundër udhëtimeve jo-thelbësore drejt Belgjikës fqinje, qeveria belge u hakmorr, duke njoftuar se çdo shtetas apo banor belg që kthehej nga vizita në Holandë do të të testohej për virusin dhe t’i nënshtrohej një periudhe karantine. Kjo pavarësisht faktit se Belgjika ka një numër më të madh të rasteve të reja me koronavirus krahasuar me Holandën.

Më shumë se gjysma e komunave të Brukselit ka kaluar tashmë të ashtuquajturin “prag alarmi” lidhur me infeksionet e reja me koronavirus. Gjashtëmbëdhjetë nga 19 njësitë vendore të kryeqytetit kanë shënuar tashmë 20 raste të reja për 100,000 banorë, sipas të dhënave të qeverisë.

Të jetosh me virusin derisa të zhvillohet dhe shpërndahet gjerësisht një vaksinë efektive, me gjasë pas 18 muajsh, po streson jo vetëm burimet shtetërore deri në pikën e fundit, por po shteron masat për të balancuar përparësitë ekonomike dhe ato të shëndetit publik. Masat janë çorientuese e shpesh të befasishme, duke e bërë të vështirë për bizneset të planifikojnë të ardhmen.

Harta e udhëtimit në Evropë po bëhet gjithashtu më e komplikuar me vendet që rivendosin kufizime pa pothuajse asnjë paralajmërim. Greqia ka shtrënguar rregullat për kalimin e kufijve të saj veriorë, vendet e Balltikut shpesh rihartojnë listën e vendeve të sigurta. Britania është e gatshme të shtojë Belgjikën në listën e saj të vendeve të pasigurta, duke kërkuar nga kushdo që ka udhëtuar atje të qëndrojë 14 ditë në karantinë, nëse hyn në Mbretërinë e Bashkuar. Javën e kaluar Britania shtoi pothuajse pa njoftim Spanjën në vendet e “rrezikshme”, vetëm disa ditë pasi kishte inkurajuar britanikët të pushonin në këtë vend. Autoritetet druhen se publikut po i humbet durimi për shkak të ndryshime të shumta.

Protesta masive e së shtunës në Berlin e organizuar nga grupe të ekstremit të djathtë e të tjera grupe, me pjesëmarrjen e rreth 20 mijë vetëve të mbledhur për të protestuar kundër vendosjes së maskave nxiti shqetësim tek zyrtarët.

Markus Söder, kryeministri i shtetit rajonal të Bavarisë dhe kandidat i mundshëm për të pasuar kancelaren Angela Merkel shkruate se: “Duhet të presim që koronavirusi të kthehet përsëri me forcë të plotë.” Ai shkruante në tëeeter se “duhet gatishmëri totale dhe kjo është arsyeja se pse tani nuk është koha për të lehtësuar kufizimet ose për pakujdesi naive”.

Saskia Esken, bashkëdrejtuese e Social Demokratëve të Gjermanisë, partneri i ri në koalicionin qeveritar shkruante se: “Mijëra kovidiotë po festojnë duke u bërë “vala e dytë” e pandemisë, pa distancim fizik dhe pa maska. Ata po vënë në rrezik jo vetëm shëndetin tonë, por sukseset tona kundër pandemisë, për të ringjallur ekonominë, arsimin dhe shoqërinë. Papërgjegjshmëri!

Disa nga protestuesit në Berlin thanë se pandemia ishte një shpikje e qeverive krijuar për të nënshtruar njerëzit. Këshilltarët e qeverisë britanike ndihen gjithashtu nervozë rreth potencialit të perhapjes së trazirave sociale për shkak të rritjes së shqetësimit se zhgënjimi mbi bllokimet e reja në veri të vendit mund të shkaktojë probleme në rrugë. Muajin e kaluar në Britani, një komision këshillues i qeverisë lidhur me çështje të koronavirusit paralajmëroi se vendi mund të përballet me “sfida të forta që lidhen me rendin publik” për shkak të situatës së “paqëndrueshme” të krijuar nga koronavirusi. Komisioni paralajmëroi se trazirat shoqërore mund të “pengojnë rivendosjen e masave për të kontrolluar përhapjen e COVID-19 dhe ka të ngjarë që të kërkohet mbështetje ushtarake”./ VOA