Koronavirusi ulë remitencat në Maqedoni

0

Mungesa e remitencave, përkatësisht mbështetja financiare nga diaspora, tashmë ka filluar të ndjehet, theksojnë afaristët, duke theksuar se paratë që sillnin punëtorët me punë të përkohshme në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe paratë e mërgimtarëve të cilët kalonin pushimet në Maqedoninë e Veriut mbeten burim serioz për ekonominë e vendit. Në bazë të të dhënave nga Banka Popullore, diaspora në periudhën 2009 -2018 në Maqedoninë e Veriut i ka sjellë të ardhura brenda vitit në një mesatare prej rreth 200 milionë euro, të dhëna këto që bazohen në burimet administrative siç janë pagesat përmes llogarive bankare si dhe transferim i shpejtë i parave.

Përderisa, ekspertët e ekonomisë thonë se të ardhurat nga remitencat janë madje 10 herë të larta nga ajo që paraqiten zyrtarisht, sepse një vlerë shumë e lartë e parave në vend vijnë përmes transfereve të ndryshme që nuk regjistrohen. Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, për Radion Evropa e Lirë thotë se kthimi i parave nga diaspora në formë të remitencave paraqesin një burim shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit. “Këto mjete janë shumë të rëndësishme pasi ato injektohen në ekonominë e vendit edhe pse këto mjete kryesisht janë për qëllime sociale, ato ndikojnë në rritjen e konsumit. Por, do theksuar se ka më shumë raste që këto mjete kthehen edhe në formë të investimeve edhe atë të investimeve shumë të suksesshme”, thekson Iseni.

Ndërkaq ish-kryetari i Lidhjes së Odave të Maqedonisë, Mirçe Çekrexhi, për Radion Evropa e Lirë thotë se remitencat për Maqedoninë e Veriut paraqesin burim vendimtar për të mbuluar vrimën e shkaktuar nga deficiti. “E dini se ne deficitin me vite e mbulojmë me të ardhurat që vijnë nga remitencat duke ruajtur në një farë mënyre bilancin e llogarisë së arkës së shtetit. Kështu që më duhet të theksoj se mungesa e remitencave do të ketë impakt shumë negative në ekonominë e vendit, unë pres që të ardhurat nga diaspora të paktën të ulen për 20 për qind, mbase edhe më shumë”, thotë Çekrexhi. Afaristët thonë se mungesa e parave nga jashtë ndjehet edhe për shkak të anulimit të ahengjeve familjare që ishin burim kryesor për shumë njerëz, thënë kushtimisht industria e dasmave ku bëjnë pjesë restorantet, butiqet e veshjeve, parukeritë e të tjera.