Korrigjimi i kufijve, flet për herë të parë kryeministri Edi Rama

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur për herë të parë për cështjen e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Deklaratat ai i ka bërë gjatë emisionit ‘Open’ të Eni Vasilit në Top Channel. E teksa gazetarja Eni Vasili e pyeti se përse ai ka vendosur të heshtë, Rama u përgjigj se ai ka folur sa herë që ka qenë e nevojshme për Kosovën, por jo në emër të saj.

“Besoj që nuk bëhet fjalë për një çështje të ditës, por të historisë sonë të përbashkë. Por i takon në radhë të parë Kosovës, shtetit dhe autoriteteve të Kosovës të përpunojë një platformë për dialogun dhe unë jam i fundit njeri ndër shqiptarë që më takon të flas dhe të bëj komentatorin sepse njëra anë në Kosovë ka një debat mbi një ide dhe jo mbi një platformë. Ndjej detyrimin që të respektoj deri në fund Kosovën dhe autoritetet e saj. Isha shumë i qartë kur thashë se kam folur dhe do flas sa herë është e nevojshme për Kosovën dhe as kam folur dhe as do flas në emër të Kosovës.”, u shpreh kryeministri Rama.

Rama u shpreh se çështja e kufirit është mjaft delikate, ku luhet fati jo vetëm i Kosovës, por i kombit shqiptar.

“Shqipëria ka detyrimin të mbështesë fuqimisht Kosovën dhe në këtë detyrim të ndjekë dhe të presë se çfarë përfaqësuesit e Kosovës mendojnë se për çfarë gjërash janë dakord të bëjmë. Unë nuk mund të bëjë tutorin e Kosovës. Kjo është një çështje ku luhet fati jo i Kosovës, por i kombit shqiptar dhe mund të bëhen gabime shumë të rënda”, u shpreh Rama.

Rama ka folur edhe për bisedën e tij me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Kam folur me Vuçiqin. Reduktim i i debatit në këtë pikë është banalitet. Ne si shqiptarë duket të kemi një qasje politike. Me të kam biseduar se dialogu në vetvete me Serbinë është një copë e madhe politike që ne duhet të jemi në gjendje ta përtypim me unitet dhe dinjitet”, ka thënë Rama.