Korrupsioni i përfaqësuesve politik të shqiptarëve, në shërbim të “stabilitetit të rajonit”!?

Afrim Ibrahimi

Pas refuzimit të dhënies së datës për Konferencën e Parë Ndërqeveritare për fillimin e negociatave për integrim në BE, kryeministri Zoran Zaev dhe kryeministri Edi Rama, në Konferencën e Ohrit me temë “Forumi i Prespës për Dialog” akuzuan BE-në për këtë dështim. Për kryeministrin Zaev “problemi është vetë Bashkimi Europian”, siç u shpreh vet ai, sepse “nuk po arrin të gjejë një mënyrë për të siguruar integrimin e merituar të Ballkanit Perëndimor”. Ndaj dhe u dërgoi mesazh qytetarëve dhe politikanëve evropianë se “alarmi është i ndezur, thelbi dhe vlerat e Bashkimit Evropian janë në pikëpyetje”. Ngjashëm me “mikun, kolegun, shokun, vëllain…” e tij, por me një gjuhë shumë më vullgare, kryeministri Rama, pasi kishte folur me “Zoranin” dhe “Aleksandrin” shkoi akoma më larg, duke kërcënuar BE-në se “Po qe se s’na pranoni ju, të tjerët do të na pranojnë, dmth aktorë të tretë do të vijnë tek ne”. Këto deklarata arogante të kryeministrit Rama pasuan pas vizites së tij në Sofje, në qershor të këtij viti, ku ai u mundua të bindi homologun e tij bullgar, që të heqi dorë nga mbrojtja e interesave kombetare të Bullgarisë në ish IRJM, duke dhënë shembullin e tij personal. Miqësia e tij me “Zoranin” e kishte magjepsur kaq shumë kryeministin Edi Rama, saqë harroi fare se në “shtetin e Zoranit”, jane, edhe sipas regjistrimit te popullsisë të para 20 viteve, mbi pesëqind mijë shqiptarë me status kushtetues prej pakice, interesat e të cilëve i takojnë atij per ti mbrojtur, si kryeminstër i Shqipërisë.

Ndihmës-sekretari i Shtetit të SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë Filip Riker (Philip Reeker), gjithashtu i pranishëm në këtë forum, nuk ishte i të njëjtit mendim me dy kryeministrat. Natyrisht, pozicioni prej diplomati nuk i’a lejonte atij që të ishte kaq i drejtpërdrejtë, sa për t’u thënë të dy kryeministrave se me çfar mendje akuzojnë BE-në për këtë dështim, në një kohë që vet kryeministri Rama këto ditë deklaroi se 70% e tenderave të organizuar nga qeveria që përfaqëson, janë abuzivë (korruptivë)! Ndërsa në një takim të para pak ditëve me drejtuesit lokal të policisë së shtetit, i akuzoi ata për “rastet e shpeshta të korrupsionit dhe bashkëpunimin me krimin”, duke folur për ndërtimet pa leje. E nëse në Shqipëri, me insistimin dhe ndihmën e pakursyer të SHBA dhe BE, u bë një punë kolosale për reformën në drejtësi, në ish IRJM është akoma po ai gjyqësor, i paprekur që nga koha e komunizmit. Shqiptarët viktima të komunizmit nuk u dëmshpërblyen kurrë, përkundrazi, diferencimi ideopolitik i shqiptarëve vazhdon edhe sot e kësaj dite, dhe është çelës i zbatuar regullisht për punësimin e shqiptarëve në institucione shtetërore, pozicione partiake etj. Komisioni i Lustracionit u shëndrua në një komedi, ndërkohë që bahkëpunëtorë të UDB-së, të njohur me emra dhe mbiemra, dhe të denoncuar publikisht nga dëshmitarë, sot i gjen në poste publike shtetërore, ministra, ambasadorë…. Prokuroria speciale Publike e krijuar për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta të politikës, dështoi në mënyrën më të turpshme, dhe u shuajt pas gjykimit për korrupsion të vet kryeprokurores speciale . Regjistrimi i popullsisë, i politizuar skajshmërisht, dështoi të realizohet për herë të dytë, edhe pas pothuajse 20 vitesh që nga regjistrimi i fundit. Ndërtimet pa leje të mundësuara nga zyrtarë të korruptuar të shtetit gëlojnë gjithandej, e korrupsini është i shtrirë në çdo institucion të shtetit.

Ndaj dhe mesazhi i zotit Riker në konferencë, ishte më se i qartë: “…ish IRJM akoma duhet të bëjë hapat e domosdoshëm siç është vazhdimi i reformave, përforcimi i qeverisjes të së drejtës, lufta kundër korrupsionit, rritja e transparencës…”.

a mundet kryeministri Zaev të luftojë korrupsionin tek përfaquesit politik të shqiptarëve, në një kohë që ata janë faktori kyç për mbajtjen në këmbë të shtetit komb, unitar të ish IRJM!? Përfaqësues politik të pakorruptuar të shqiptarëve, do ta rrezikonin seriozisht sistemin qeverisës unitar të ish IRJM, në kërkim të njësisë shtetërore që u takon si bashkësi e dytë më e madhe në shtet. E duke rrezikuar karakterin unitar të shtetit, do ta rezikonin seriozisht projektin e identitetit të përvetësuar, i cili pas Marrëveshjes së Prespës, dhe vetos bullgare për integrim në BE, mbahet në këmbë vetëm në kurriz të shqiptarëve. Ndaj dhe kryeministri Zaev refuzoi të ndiqte shembullin e R. Shqipërisë për reforma në drejtësi, duke refuzuar propozimin e BE për vettingun për gjyqtarët dhe prokurorët, me arsyetimin se “vendi i tij nuk duhet të përfundojë si Shqipëria ku institucionet e drejtësisë janë zbrazur dhe vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese”. Pra, kryeministri Zaev pranoi se sistemi i drejtësisë në ish IRJM është i tillë, që me aplikimin e vetingut, institucionet do ngeleshin të zbrazur! Ndaj në vend të reformave në drejtësi, ashtu si paraardhësit e tij, ai zgjodhi që sistemi i drejtësisë të vihet në shërbim të “intersave më të larta të shtetit” duke lejuar korrupsionin tek përfaqësuesit shqiptarëve, për të mbajtur në këmbë identitetin dhe shtetin komb të “maqedonasve”. Ndaj dhe prokuroria e pareformuar e ish IRJM vendosi për të mbyllur hetimin ndaj exponentëve të BDI, përfshirë këtu edhe hetimin ndaj zv. kryeministrit Bujar Osmani në rastin ‘Pacient’!? Pikërisht këtë politikan me përvojë në aktivitete të pamoralshme, kryeministri Zaev e zgjodhi për ministër të jashtëm për të vazhduar betejën e pamoralshme në mbrojtje të gjuhës dhe historisë, të përvetësuar nga bullgarët. Pikërisht përfaqësuesit e tillë të korruptuar të shqiptarëve, mundësuan formimin e qeverisë së LSDM, në shkëmbim të paprekshmërisë për veprat e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, të konsumuar në bashkëqeverisje me VMRO. Zyrtar të tillë të korruptuar votuan ndryshimet kushtetutese që dolën nga Marrëveshja e Prespës, pa e kushtëzuar këtë me statusin kushtetues prej shtetformuesi për shqiptarët në ish IRJM.

Por, si mund ta luftojnë shqiptarët korrupsionin në rradhët e përfaqësuesve të tyre, pa ndihmën e shtetit në duart e partive sllave? E thjeshtë – duke luftuar politikanët shqiptarë të shitur do të luftojnë edhe korrupsionin. Sepse, politikanët e shitur, janë detyrimisht të korruptuar, dhe politikanët e korruptuar janë detyrimisht të shitur!