Korrupsioni politik përmes portaleve ‘anonime’ në Maqedoni!

0

Nga Fatos RUSHITI/INA

Prokuroria Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit së fundmi ka nisur hetimet për reklamimin e partive politike në disa portale para zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 15 korrik.

Jo vetëm partitë politike por edhe Qeveria bëri të mundur që përmes KSHZ-së të financohen afër 250 portale me kompani të panjohura për të përfituar para për zgjedhjet duke i futur në një thes me Agjencitë e Lajmeve.

Për Agjencine e Lajmeve INA ishk kryetari i Shoqatës së gazetarëve Naser Selmani thotë se ky është korrupsion i pastër që ka bërë Qeveria duke bërë krahasime me Qeverinë Gruevski.

“Reklama e paguar politike e partive gjatë fushatës zgjedhore është korrupsion i pastër politik, është e njejta gjë si reklamat mediatike të qeverisë Gruevski, me të cilat pushteti i atëhershëm bënte propagandë politike dhe njëkohësisht korruptonte dhe kontrollonte median. Me fushatat mediatike Gruevskit bënte propagandë politike për qeverinë e tij, ndërsa tani partitë në pushtet dhe opozita me reklamën e paguar politike mes veti ndajnë shuma të majme parash nga buxheti i shtetit për propagande politike gjatë fushatës elektorale”, thotë për INA Naser Selmani.

Nëse në kohën e Gruevskit, thekson më tej Selmani, vetëm VMRO shpenzonte para publike për propagandë politike dhe finansonte median private për të ndikuar politikën e tyre editoriale, tani sipas tij me reklamën e paguar politike pushteti dhe opozita bashkë shpenzojnë para publike për qëllime të propagandës politike.

Naser Selmani thotë se me këto mjete partitë politike arrijnë disa qëllime.

“E para shfrytozojnë median si mjet propagande gjatë fushatës elektorale duke bombarduar ekranet televizive me spote publicitare gjatë zgjedhjeve. Qëllimi i dytë i reklamave të paguara politike të partive është ti bëjnë finasiarisht të varura mediat duke krijuar parakushte për të ndikuar në politikën e tyre editoriale. Nëse media fiton shuma të mëdha parash prej partive politike, atëherë ato do të përmbahen për të kritikuar pushtetin dhe opozitën sepse në zgjedhjet e ardhshme partia mund ta çojë reklamën në një medium tjetër konkurent. Këto mjete publike për propagandë politike janë mjet shumë efikas për të nxitur vetëçenzurën në media”, thotë Selmani.

Andaj shton ai, ky është një sistem kriminal për kapjen peng të medias dhe të gazetarëve. Njëkohësisht ai merr si shembul pozitiv vendet e zhvilluara perëndimore që e kanë të ndaluar me ligj propagandën politike për median private të institucioneve qeveritare dhe e njëjta sipas Selmani duhet të ndodh edhe në Maqedoni.

“Nëse nuk pezullohet reklama e paguar politike, media në vend kurrë nuk do të jetë profesionale, por mjet propagaande në duartë e pushtetit dhe opozitës.
Në vendet e zhvilluara demokratike të Bashkimit Evropian, propaganda politike është e ndaluar me ligj në median private, si në televizion ashtu dhe në radio sepse në këtë mënyrë partitë shfrytëzojnë media të fuqishme me ndikim për manipulimin e masave. Nga ana tjetër reklama politike dekurajon kontaktin e drejtpëdrejt të politikanëve dhe qytetarëve si dhe pamundësojnë debatin publik për çështje me interes publik”,vë theksin gazetari i njohur Naser Selmani.

Publicisti i njohur Shkëlzen Halimi në një prononcim për INA thotë se hapja pa kriter e qindra portaleve ka shkaktuar kaos të vërtetë në rrafshin medial dhe e njëjta mendon Halimi duhet të ndërpritet e sa më parë.

“Në një Maqedoni të vogël dikush mendon se ka shumë hapësirë të madhe për të përfituar materialisht. Hapja pa kriter e portaleve (një njeri-një portal) ka shkaktuar kaos të vërtetë në rrafshin e informimit dhe kjo duhet të ndërpritet një orë e më parë, kuptohet duke u rregulluar me ligj. Në të kundërtën, kaosi do të bëhet edhe më i plotë, aq më tepër kur mungon përgjegjësia për informacione të paverifikuara. Qeveria duhet të reagojë sa më shpejtë dhe jo t’i stimulojë portalet e shumta, prapa të cilave nuk e di se kush qëndron. Kjo, mbase hap shumë dilema se keqpërdorimet në këtë drejtim janë më se të mundura”, thotë Shkëlzen Halimi.

Sipas tij çështja e agjencive të lajmeve është diçka krejt tjetër dhe puna e tyre dallon nga ato e portaleve, sepse vazhdon më tej Halimi, bëhet fjalë për subjekte juridike dhe me përgjegjësi.

“Shteti, siç dihet ka një agjenci (MIA) që financohet nga buxheti. Atëherë shtrohet pyetja po pse tolerohet ky kaos, pse tolerohen portalet me një njeri karshi agjencive që kanë shumë të punësuar dhe që dihet se cili është qëllimi i tyre, por edhe karshi portaleve te gazetave apo të televizioneve. Nëse shkohet me avazin që fantom portalet të financohen vetëm gjatë fushatave parazgjedhore, atëherë ky do të konsiderohet si keqpërdorim i buxhetit dhe si stimulim i kaosit pikërisht nga shteti”, shprehet Shkëlzen Halimi.
Ai sqaron se dallimi mes agjencive të informimit dhe
portaleve është i qartë dhe në këtë drejtim siç thotë Halimi s’mund të ketë asçfarë hamendje, kurse për ekzistencën e tyre le të vendosë tregu medial, por me kusht që të mos ketë favorizime dhe para ligjit të gjithë të jenë të barabartë.

“Rregullimi i kësaj çështje duhet konsideruar si një nevojë imediate, sepse, pos tjerash, flet edhe për seriozitetin e një shteti që pretendon një rend në të gjitha sferat”, thotë Shkëlzen Halimi.

Ndryshe muaj më parë Qeveria hapi konkurs për financimin e ojq-ve për të trajtuar krizën me Kovid-19. Dhe kjo pati shumë kundërshtime nga ekspertë të mediave.

Mbetet sfidë e kësaj Qeverie rregullimi ligjor i portaleve.

Ka pasur zëra në media se Veç VMRO-së edhe persona të afërt me funksionarë të lartë të LSDM, BDI dhe partive tjera kanë hapur disa portale.(INA)