KOSOVA asociacion i kishave dhe komunave serbe?

Iliria News Agency
Iliria News Agency

07/02/2023

Muhamed HALILI

Një ide dhe   një plan i hartuar, në maj të vitit 2007 nga nga ana e të dërguarit special të OKB Marti Ahtisaari ish kryetar I Finlandës dhe pranuar nga Grupi I kontaktit për Kosovë dhe  realizuar në praktikë me rastin e pavarësimit të Kosovës  i titulluar si  Plani I Ahtisarit i përmbledhur në dokumentin “Propozimi i kuptueshëm për zgjidhjen e  statusit të Kosovës” ( Comprehensive Proposal for the Kosovo Status Settlement (CSP) ku përfshihet, mes tjerash edhe krijimi i Asociacionit të komunave serbe në Kosovë , plan ky tërësisht i përshirë në Deklaratën për pavarësi të Kosovës shpallur më 28 shkurt 2008, u bë temë e përditshme e debateve ndërpartiake, ndërshqiptare, temë e debateve midis serbeve në Kosovë e Beograd, midis Evropës së vjetër dhe asaj të re, midis Edita Tahirit dhe Kurtit,  Vlora Çitakut e Donika Gërvallës,midis Abdulla Hotit e Kurtit, Ramush Haradinajt e Kurtit  por edhe midis të dërguarit special të BE-së Lajçak, të dërguarve të deritashëm të SHBA Grenell, Escobar, Derek Chollet.

Pa marrur parasyshë opinioneve të  ndryshme midis përfaqsuesve të partive politike në Kosovë për këtë problem dhe akuzave të ndërsjella si dhe dëshirës për revanshim që vjen nga ana e oponentëve politik kosovar ndaj kryeministrit Albain Kurti i cili gjatë kohës së të qenunit opozitë, kryeministrave të qeverive paraprake me lloj lloj demonstratash popullore ua pruri shpirtin në majë të hundës për këtë problem dhe ata tani gjetën kohën t’i revanshohen.  Por, megjithate është fakt dhe realitet  se qeveritë kosovare udhëhequr deritash nga ish kryeministrat  Thaçi, Mustafa, Haradinaj  kanë negocuar dhe nënshkruar dokumente me rëndësi ndërkombëtare për “Zajednicën serbe” por fati e deshi Kosovën që ai dokument u zhvlerësua nga Gjykata kushtetuese e Kosovës.

Me gjithë kapricet dhe inatet vetanake dhe inatet ndaj të tjerëve, liderët politik kosovarë duhet t’i harrojnë zënkat midis tyre, të krijojnë një platformë të përbashkët për zgjidhjen e këtij problemi dhe t’ia paraqesin bashkësisë ndërkombëtare si zgjidhje përfundimtare. Këtë e kërkojnë SHBA nëpërmjet përfaqsuesve Escobar e Chollet, këtë e kërkon Evropa nëpërmjet Lajçakut.

SHBA-të i kanë vënë kornizat e këtij Asociacioni: Asociacion me korniza të Kushtetutës së Kosovës, jo Republika Srpska jo në kundërshtim me sovranitetin e shtetit.jo me kompetenca ekzekutive.

Poqese ç’ështja e “Zajednicës”  nuk zgjidhet në frymën e decentralizimit të pushtetit qendror (ashtu si pas MO u bë në Maqedoni!) dhe në frymën e vendimeve të Kushtetutës së Kosovës, me statusin ekzistues kushtetues të kishës serbe në Kosovë (bazuar në Planin Ahtisaari) ajo faktikisht do të dukej  si shtet i dyfisht:Republikë e Kosovës dhe Republikë e kishave dhe “Zajednicave” serbe !

Edhe Kurti ka skicuar planin e tij shumë legjitim të mospranimit të idesë për  asociacione etnike por kjo nuk mjafton me kaq. Kosovarët duhet të dalin me plan të qartë të përbashkët të harmonizuar nga të gjitha forcat politike, intelektuale, akademike sepse kjo nuk është punë e vetëm një partie politike. Donika Gërvalla, përfaqsuese e politikës së jashtme, është koha të zgjohet nga gjumi i thellë dimëror dhe të pushtojë hapsirë politike jashta vendit, kuptohet nëse Kurti i krijon hapsirë!

(Mos) krijimi i “Zajednicës” duhet mbështetur në argumentet specifike të Kosovës dhe nuk duhet të ketë lidhje fare me krahasimet me Maqedoninë dhe gjetiu.Në Maqedoni formimi i Asociacioneve  të komunave ka mbaruar me nënshkrimin e Marrëveshtjes së Ohrit ndërmjetsuar nga BE dhe SHBA si  dhe  inkorporimit të amandmenteve në kushtetutën e Maqedonisë.

Këtu kemi të bëjmë me një çështje specifike të përfshirë në “Deklaratën për pavarësimin e Kosovës të vitit 2008” ku Asociacioni është i përfshirë në këtë deklaratë. Është e qartë se krijimi i asociacioneve njënacionale nuk shpie në rrugë të mirë.

Asociacioni ose Statusi special nuk është krijim i ekipit të Ahtisaarit. Ekipi i tij këtë e ka kopjuar nga  Konferenca e Hagës për ish Jugoslavinë(1991-1992)                       

ÇËSHTË ASOCIACIONI I KOMUNAVE?

Në vitet e 90-ta të shek. të kaluar ish federata jugosllave filloi të shpërbëhet dhe lufta i kaploi territoret e disa republikave si Sllovenisë dhe Kroacisë që kërkonin pavarësimin e shteteve të tyre nga  federata jugosllave, dhe më vonë edhe Bosnjës dhe Herzegovinës e cila pas shpalljes së pavarësisë u bë objekt sulmi i armatës së Jugosllavisë dirigjuar nga diktatori Sllobodan Millosheviq me qëllim të zgjërimit të territoreve serbe. Sllovenia e fitoi pavarësinë si rezultat i luftës triditëshe kundër  Armatës së Jugosllavisë por Millosheviqi ishte i fokusuar republikat tjera ti mbajë në Jugosllavi, posaçërisht Kroacinë ku jetojnë një shumicë e konsiderueshme e serbeve. Millosheviqi mbronte teorinë e tij se ato republika ku jetojnë edhe një numër i vogël serbësh nuk mund të shkëputen nga  Jugosllavia.

I ballafaquar me këtë situatë të rëndë Bashkimi  Evropian më 27 gusht 1991 e solli  një Deklaratë ku skicohej që  Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare, në suazat e shtyllës “ Bashkëpunimi politik evropian” të organizojnë një “Konferencë për Jugosllavinë”. Konferenca u mbajtë prej 7-12 shtator 1991 dhe aty morrën pjesë Kryesia e Jugosllavisë, Qeveria, presidentët e gjashtë republikave (pa krahinat autonome), përfaqsuesit e Bashkësisë Evropiane dhe përfaqsuesit e vendeve anëtare. Në Konferencë nuk ishin të ftuar përfaqsuesit e Kosovës dhe Vojvodinës sepse Millosheviqi mbante qëndrimin e tij të fortë se Kosova dhe Vojvodina ishin çështje e brendëshme e Serbisë.

Konferencën e drejtoi Lord Carrington, ish ministër i jashtëm britanik dhe ish  Sekretar i përgjithshëm i NATO-s. dhe ajo u mbajtë në kryeqytetin e Hollandës , në Hagë dhe ndryshe quhet edhe si Konferenca e Hagës. Kjo konferencë ka pasur edhe vazhdime tjera por ndër më vendimtaret ka qenë  ajo  në Londër (1992) e njohur si Konferenca e Londrës.

Konferenca e Hagës në kuadër të kërkimeve të zgjidhjeve për shuarjen e konflikteve në ish Jugosllavi e kishte paraparë edhe të ashtuquajturin “Status special” krahas njohjes së pavarësisë së republikave që i plotësonin kërkesat  e të drejtës ndërkombëtare për vetëvendosje.

Konferenca e Hagës , me qëllim që  t’i kanalizojë kërkesat e serbeve të Kninit,të cilët kishin shpallur republikën e tyre brenda shtetit kroat, propozoi që atyre tu jepet Status special në kuadër të Kroacisë, që do të thotë qeverisjen autonome të territorit të tyre etnik por në kuadër të Kushtetutës dhe legjislacionit kroat gjë të cilën ata e refuzuan. Më vonë (1995)e ashtuquajtura Republika serbe e Kninit në Kroaci u shpërbë pas ndërhyrjes ushtarake organizuar dhe kryesuar nga gjenerali kroat Ante Gotovina dhe urdhëruar nga presidenti kroat Franjo Tugjman në operacionin “Stuhia” ku 250 mijë serb të Krajinës së Kninit brenda natës lëshuan vatrat  dhe ikën në Serbi për të mos u kthyer kurre. Një numër i madh i tyre u vendosën në Kosovë.

Konferenca e Hagës ose ndryshe e quajtur Konferenca Karington sipas ish ministrit britanik të punëve të jashtme Lordit Karington arriti vetëm të hartojë parimet e punës dhe mbaroi pa sukses.

Konferenca e Londrës u mbajtë si vazhdimësi e Konferencës së Hagës ku mernin pjesë ministrat e jashtëm të 12 vendeve anëtare të Bashkësisë Ekonomike Evropiane, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, gjashtë shtetet fqinje të Jugosllavisë, përfaqsues të OKB-së me kryesuesen Çekosllovakia, pastaj Kanada,Japonia si dhe Turqia në emër të Organizatës së Konferencës Islamike, si dhe sekretari i përgjithsëm i kësaj organizate i cili gjithashtu ka qenë i pranishëm. Palën  jugosllave e kanë prezentuar gjashtë kryetarët e republikave jugosllave. Kësaj rradhe në margjina të Konferencës kanë marrur pjesë edhe përfaqsues të krahinave dhe popujve pakicë. Kosovën e ka përfaqsuar Dr.Ibrahim Rugova kurse shqiptarët e Maqedonisë kryetari i PPD-së Nevzat Halili e kështu me rradhë

Konferenca e Londrës përveç kryesisë së  përhershme në emër të Bashkësisë Ekonomike Evropiane  përfaqsuar nga Lordi David Oven dhe në emër të Sekretarit gjeneral të OKB-së Butros Galit  përfaqsuar nga  Sajrus Vens dhe më vonë Torvald Stoltenberg ( i ati i Sekretarit të tashëm të NATO-s Stoltenberg) ka themeluar 6 grupe të punës me seli në Gjenevë.

Një ndër grupet kryesore të punës ka qenë Grupi i punës për etnikume dhe minoritete kombëtare në kuadër të së cilit ka qenë edhe Grupi i posaçëm për Kosovën dhe Nën-grupi për Maqedoninë kryesuar nga Ambasadori Geert Ahrens me dy nënkryetarët e Grupit. Nënkryetar i Konferencës Karington ka qenë ambasadori Jean-Pierre Masset.

Grupi II për etnikume dhe minoritete kombëtare pranë Konferencës së Hagës asnjëherë nuk funksionoi me këtë emër, shkruan Geert Ahrens, sepse shqiptarët e Kosovës dhe serbët e Kninit nuk e ndjenin veten të tillë por si popull i barabartë me të tjerët me të drejtë të vetëvendosjes. E njejta ka vlerë edhe për shqiptarët e Maqedonisë sepse, gjithnjë sipas ambasadorit Ahrens, ata (shqiptarët) pretendonin se janë 40 dhe madje  50% në deklarimet e tyre, prandej edhe rregjistrimi i popullësisë me mbikqyrje ndërkombëtare ka qenë imperativ kohe.

Me qëllim që Bashkësia Ekonomike Evropiane ta njohë pavarësimin e Republikës së Maqedonisë,  Kuvendi   i ka pranuar më 19 dhjetor 1991 Dispozitat e Traktatit (Treaty  Provisions) të Grupit II të Konferencës dhe me 29 dhjetor 1991 me një letër drejtuar Hans Van den Broek, ministër i jashtëm hollandez si nikoqir, ministri i jashtëm i Maqedonisë  Denko Maleski e ka informuar atë se vendi e pranon Kaptinën II, DT për “të drejtat e minoriteteve etnike e kombëtare”.  Grupii punës, gjithnjë sipas Ahrens, ka ftuar për pjesmarrje në bisedimet tripalëshe përfaqsuesin e OSBE-së  ambasadorin Norman Anderson, ambasadorin Robert Frowick në emër të SHBA-ve dhe Tore Bogh (Norvegji)-në emër të UNPREDEP . Këtij grupi ambasadorësh i bashkangjitet edhe Komisari për minoritete nacionale ambasadori Van der Stool. Bisedimet tripalëshe (Qeveri-PPD-PDP-Ahrens) kanë filluar më 5 qershor në Shkup ku Ahrens dhe bashkëpunëtori i tij de Beaucé në Shkup është takuar me Kiro Gligorovin, Fërçkovskin si ministër i brendëshëm, Maleskin si ministër i jashtëm dhe Xheladin Muratin si nënkryetar i Kuvendit, ndërsa në Tetovë me Nevzat Halilin, kryetarin e PPD-së dhe liderin e padiskutueshëm të shqiptarëve, siç shkruan Ahrens. Prej asaj date janë mbajtur 5 takime ku shqiptarët nuk kanë marrur pjesë në bisedime me njerëz të njejtë por pjesmarrës kanë qenë edhe Iljas Halimi në cilësinë e Partisë Demoratike Populllore, deputetët Mersim Pollozhani e Naser Zyberi etj.etj.

Me përfundimin e Konferencës Karington, në gusht të vitit 1992 palët negociatore kanë përgatitur një Tekst  Pune, në Ohër, më 17 qershor 1992  i cili nuk nënshkruhet më vonë nga pala maqedonase. Në Tekstin e Punës të negocuar në Grupin e II të DT, nëngrupin për Maqedoni, në pikën e 14 shkruhet si vijon: “14. NënGrupi diskutoi Kaptinën V në lidhje me vetëqeverisjen lokale. Pala shqiptare e kritikoi përfshirjen e kufizuar të kompetencave të komunava në përgjithësi. Ata aq më tepër konstatuan se teksti nuk korrespondon me “ autonominë politike e territoriale të shqiptarëve në Maqedoni”, për të cilën 99% kanë votuar në referendumin e organizuar nga ata më 11 dhe 12 janar 1992. Pas disa diskutimeve kryesuesi propozoi të sillet Ligji kushtetues ose të shtohet një kaptinë plotësuese Kaptina VI pas Nenit 117 me titullin “autonomia”, vazhdon ai. Sipas këtij propozimi të kryesuesit në komunat me shumicë shqiptare duhet t’u jepen të drejtat e parapara në Kaptinën II të Draft Traktatit të dispozitave  nga Konferenca për Jugosllavi (Statusi Special) dhe nga kjo komunave me shumicë shqiptare t’u jepet e drejta të formojnë asociacione të cilat do të kishin trup ligjvënës dhe një strukturë administrative që do t’i përkiste këtij Asociacioni, (Ahrens, Diplomacy on the Edge, fq 411,2006). Nisur nga e drejta e premtuar për një Asociacion komunash me shumicë shqiptare me të drejta ligjvënëse kryetarët e komunave Dibër Qemal Xhafa, Gostivar, Enver Zenku dhe Tetovë-Shaqir Aliti nënshkruan aktin për themelimin e UT-së si përfaqsues të institucioneve komptetente legjitime.

Ditën e dorëzimit të Memorandumit për Status special të shqiptarëve të Maqedonisë, në Ministrinë e jashtme të Hollandës kemi qenë dy delegacione shqiptare të territoreve shqiptare të ish Jugosllavisë: ai i Kosovës kryesuar nga Fehmi Agani në përbërje të së cilës ishin edhe Zejnulla Gruda, Flaka Surroi etj dhe delegacioni  i Maqedonisë kryesuar nga Nevzat Halili dhe unë, dhe natën e parë në një takim të përbashkët i kemi harmonizuar qëndrimet brendashqiptare në  banesën e një bashkëkombasi nga Shipkovica.

Me sa më duket diku më 25 tetor 1991 në Ministrinë e punëve të jashtme të Hollandës na priti ambasadori francez, i dërguari special i François Mitterand, presidentit të Francës me bashkëpunëtorët e tij në cilësinë e zavendësit të kryesuesit të Konferencës. Kryetari Nevzat Halili e informoi ambasadorin  Masset me qëllimin e shkuarjes  tonë në Hague dhe ia dorëzuam Memorandumin për Status special të shqiptarëve të Maqedonisë.

Në librin e tij “Diplomacy on the Edge” diplomati gjerman  shkruan se nënkryetari i Nën-Grupit për Maqedoni e ka njoftuar presidentin e atëhershëm maqedonas Gligorov për moskënaqësitë e shqiptarëve dhe për Memorandumin drejtuar Konferencës së Hagës dhe se Kiro Gligorov  është përgjigjur se disa kërkesa të Grupit parlamentar shqiptar do të merren në konsiderim në diskutimet për kushtetutën, në kuadër të decentralizimit të pushtetit, gjë e cila nuk ndodhi deri pas vitit 2002.

Pas këtyre refuzimeve maqedonase jeta politike në Maqedoni u bë dybinarëshe: maqedonasit në njerën anë dhe shqiptarët në tjetrën. PPD-ja dhe PDP-ja nuk e votuan kushtetutën, nuk e ftuan elektoratin të del në referendum për pavarësimin e shtetit, organizuan referendumin e tyre për autonomi politike e terrritoriale, themeluan universitetin e tyre,  e bojkotuan regjistrimin e popullësisë i cili rregjistrim pastaj u bë në vitin 1994 me mbikqyrjen e komunitetit ndërkombëtar, etj.

Shikuar nga retrospektiva e tashme kërkesa për Status special ka qenë një kërkesë e domosdoshme sepse e ka afirmuar çështjen shqiptare në përgjithësi në kohën e shpërbërjes së federatës, siç shkruan Dr. Ibrahim Rugova, por kushtet e jetësimit të tij kanë qenë tepër të pafavorshme  në aspektin regjional e ndërkombëtar sepse prioritetet mbarëshqiptare kanë qenë fitimi i pavarësisë së Kosovës dhe forcimi ekonomik e politik i Shqipërisë.

 

GRUPI PARLAMENTAR PPD-PDP

KONFERENCËS SË PAQËS PËR JUGOSLLAVI
HAGË

MEMORANDUM PËR STATUS SPECIAL

 

-Të vetëdijshëm se Jugosllavia shpërbëhet,
-të bindur se paqja dhe stabiliteti në Evropë nuk mund të arrihet përveç se me zgjidhjen e çështjes së drejtë kombëtare,
-duke e ditur se Maqedonia është krijuar si republikë multinacionale,
-duke konsideruar se shqiptarët në Maqedoni janë popullatë autoktone dhe kompakte në regjionet ku jetojnë dhe se e përbëjnë një të tretën e popullësisë së saj,
-të brengosur nga fakti se nuk jemi të barabartë me maqedonasit,
-të indinjuar se nuk kemi institucione dhe asociacione për ta zhvilluar kulturën tonë,
-të brengosur se në disa komuna si në Strugë, Kumanovë, Kërçovë është suprimuar arsimimi i mesëm në gjuhën shqipe dhe në disa të tjera është reduktur në mënyrë drastike,
-të brengosur se në shumë komuna ku jetojnë shqiptarët nuk janë zbatuar në praktikë rezultatet e zgjedhjeve shumëpartiake përderisa në komunat Tetovë dhe Gostivar Qeveria e Maqedonisë e ka autorizuar një këshill të përbërë nga maqedonasit për ti qeverisur këto dy komuna,
_me keqardhje konstatojmë se shqiptarët nuk janë prezentuar proporcionalisht në organet e Qeverisë dhe në organizatat tjera të shtetit, dhe,
_pasi që këtë muaj Kushtetuta e re e Republikës së Maqedonisë do të aprovohet, Grupi i deputetëve të Partisë për Prosperitet Demokratik dhe Partisë Demokratike Popullore i përbërë nga shqiptarët, e informon Konferencën e paqës në Hagë si vijon:
-Në tekstin e Propozim Kushtetutës së Republikës, Republika definohet si shtet kombëtar i popullit maqedonas dhe pastaj si shtet i qytetarëve tjere,
_shqiptarëve nuk u njihet elementi shtetformues,
-shqipja nuk e ka të njejtin status në përdorimin publik dhe zyrtar si maqedonishtja,
-mekanizmi i konsenzusit nuk është paraparë,
-nuk garantohet e drejta e shkollimit në të gjitha nivelet dhe në kushte të barabarta,
-Qeveria e Maqedonisë dhe Grupi i ekspertëve për hartimin e Kushtetutës e ka refuzuar Deklaratën për status të barabartë të shqiptarëve në Maqedoni,
_çdo iniciativë, propozim ose deklaratë e Grupit parlamentar refuzohet me shumicë votash,
-Në përputhje me nenin 35 alinea 2 e Dokumentit për dimension njerëzor në Kopenhagë, me parimin e 3-të të Konferencës në Hagë kërkojmë nga Konferenca e paqës të debatojë për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni dhe të na e njohë Statusin special në kuadër të Maqedonisë.

Shkup, më 22 tetor 1991                             Grupi parlamentar  PPD-PDP

Koordinator,

Eshtref Aliu

 

 

 

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

sulejman selimi

Lirohen nga akuza për krime lufte Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku

sulejman selimi

Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku lirohen nga akuza për krime lufte

kurti gjermani

Kurti takim me mërgatën në Gjermani: Regjistrohuni, votoni dhe investoni në Kosovë

Arben taravari bujar osmani

Mori fund loja me president shqiptar!

Emin Azemi

Pse shqiptarët duhet t’a bojkotojnë rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale?

bislimi-petkovic-lajcak

Sot në Bruksel mbahet takimi i radhës për dinarin

hovenier

Hovenier pas takimit Kurti-O`Brien: Presim përmbushjen e obligimeve

Glauk Konjufca

Kryetari Konjufca vlerësoi lart kontributin e komunutetit turk në shtetndërtimin e Kosovës

vjosa osmani nju jork

Nënat e Srebrenicës për fjalimin e Osmanit: “Do të mbahet mend…!”

INFO

NA NDIQ