Kosova dhe MCC-ja nënshkruajnë programin për sektorin e energjisë

Përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), kanë nënshkruar në Uashington Programin e ri Kompakt, i cili pritet të forcojë pavarësinë energjetike të Kosovës dhe në të njëjtën kohë t’i kursejë shtetit miliona euro në vit.

Programi Kompakt është në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh dhe përqendrohet në projekte të energjisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se me nënshkrimin e Programit Kompakt rikonfirmohet gatishmëria e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Kosovën që të avancojë ekonomikisht dhe të ketë zhvillim të qëndrueshëm. Sipas saj, MCC-ja do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve urgjente në sektorin e energjisë me të cilat përballet vendi.

“Marrëveshja prej 236.7 milionë dollarësh, që është investimi më i madh energjetik i bërë në vendin tonë prej dekadash tashmë, do të ndihmojë në krijimin e fleksibilitetit dhe stabilitetit në rrjetin elektrik, duke mundësuar integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme, si dhe zhvillimin e aftësive që do të kontribuojnë në rritjen e pjesëmarrjes dhe angazhimin e grave tona në sektorin e energjisë dhe në tregun e punës”, tha Osmani gjatë ceremonisë së nënshkrimit, ku ishte e pranishme drejtoresha ekzekutive e MCC-së, Alice Albright.

Në ceremoninë e nënshkrimit, përveç Osmanit, morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.rel