Delvina KËRLUKU
Kosova është e jona. Këtë shprehje e kemi dëgjuar nga të dyja palët më shumë se antagoniste, pra dy palët e armiqësuara për jetë a vdekje.
Njëra palë është ajo legjitimja, pronarja me tapi ilirike, dardane, shqiptare – është vetë Kosova, apo pjesa e Dardanisë, kurse pala tjetër është njerka e shpifur, robëruesja, grabitqarja zullummadhja fashiste – Serbia, shkaktarja e katër luftërave Ballkanike. Është ajo Serbi që ka qenë dhe mbetet fitili i konflikteve permanente, bile edhe të pritshmit aktual. Është Serbi e përkëdhelura e Rusisë, Francës, por tani po na del se po e ledhaton një pjesë e madhe e Perëndimit. Është bërë një tekanjoze e neveritshme, pasi fuqitë vendimmarrëse po i’a plotësojnë të gjitha tekat e kërkesat, bile edhe ato më absurdet. Mjafton që ajo të shohë një ëndërr me një oreks të ri, e Perëndimi t’i rrijë gatitur, sikur kjo t’i ketë fatet e Evropës në dorë! Pas elozheve dhe mirënjohjeve që thurëm dhe shprehëm për Perëndimin (me të drejtë) për ndihmën e kushtueshme që dha për dëbimin e okupatorit nga trojet kosovare, tani po na servirin një zhgënjim të paparë, duke mbajtur haptazi anën e agresorit gjakatar. Dhe viktima shekullore e Serbisë, po viktimizohet edhe nga çliruesit. Dhe arsyeja është një e vetme: Ta joshim Serbinë mos shkojë në përqafim të Rusisë, duke harruar faktet historike, se ato janë mishi i një eshtre – ortodoksisë sllave. Interesat politike janë një gjë, kurse lidhja shpirtërore është tjetër gjë. Përdorën lloj lloj pseudo faktesh historike se Kosova është zemra e Serbisë; se kishat janë të sajat, se luftrat (edhe Betejën e famshme të 1389) e ka bërë ajo, e fabrikuan lloj lloj mitesh, por u ranë në ujë të gjitha. Tani mbështeten te fuqia ushtarake, meqë Kosova është shtet i ri e i brishtë, nuk e ka (për momentin) mbështetjen e fuqive vendimmarrëse dhe shpresojnë ta zhbëjnë atë që u bë më 1999. Luftë prej Don Kishoti. Harrojnë këtë fakt: Kosova është Iliri, Arbëri, Dardani – Shqiptari. Dhe e huaja –jotja s’bëhet kurrë. Zgjati pushtimi gjakatar 100 vjet; u tkurr, u dhunua, u vodh, etj,etj., por Kosova u ringjall si Feniksi. Oreksi i tepruar ua ka errësuar edhe logjikën elementare, edhe besimin elementar: harrojnë se përmes drejtësisë tokësore, ka edhe drejtësi Hyjnore. Lakmia për shfrytëzimin e pasurive të Kosovës, nuk i lë ta shohin të vërtetën që e sheh dhe e pranon mbarë njerëzimi i arsyeshëm: Kosova, ashtu siç e ka falur Zoti, me gjithë begatitë, është e shqiptarëve. Në këtë moment më ra ndërmend një varg i poetit Beqir Musliu, që thotë (perifrazim): Kosovë, ti je unazë që do të donte ta kishte çdo gisht.., ose vargu i mirënjohur i poetit Ali Podrimja: Kosovë ti je gjaku që nuk falet.
Fare në fund: Sa më parë që të kthjellohet Serbia dhe mbështetësit irracionalë të saj, aq më mirë për Kosovën, Serbinë dhe Evropën. Por, kjo nuk mjafton: Duhet të kthjellohen edhe shqiptarët, duke e dashur sinqerisht e me gjithë qenien e tyre njerëzore e kombëtare Kosovën e tyre.
Poezi nga Delvina Kërluku
KOSOVA
Rrezja e parë e Diellit, ka emrin Kosovë
Rrezja e fundit e Hënës, ka emrin Kosovë
Fjala e parë e foshnjës është Kosovë
Fjala e fundit e gjyshit është Kosovë
Kosovë është Fushë Kosova
Kosovë është Mal Drenica
Kosovë është Grykë Kaçaniku
“Kosovë është gjaku im që nuk falet”
Kosovë është gjaku ynë që nuk blihet
Kosovë është gjaku juaj që nuk shitet
Kosova është Atje
Kosova është Këtu
Zgjate dorën dhe fute në gji.