Kosova e Serbia i kanë dakorduar temat për takimin e së enjtes në Bruksel por nuk i bëjnë publike

0

Kosova dhe Serbia të enjten do të përballen në tavolinë të dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Pas video-konferencës që u zhvillua të dielën, takimi i kësaj jave do të jetë i pari kokë më kokë mes liderëve të dyja shteteve, pas dy vite pauzë në bisedime. BE-ja ka njoftuar se agjenda e takimit është caktuar, megjithatë, e pyetur nga Gazeta Express nuk e ka bërë publike atë.
Pas Samitit të ndërmjetësuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel e presidenti i Francës Emmanuel Macron, si dhe takimit virtual që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pati me presidentin serb Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësimin e BE-së të dielën, Prishtina dhe Beogradi do të kthehen këtë javë në tryezë të dialogut.

Ky është takimi i parë i drejtpërdrejtë që do të mbahet pas heqjes së taksës dhe reciprocitetit, pas dy vitesh prej kur ky proces është pezulluar, si dhe pas dështimit të takimit të caktuar nga emisari i SHBA-së në dialog, Richard Grenell.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur për Gazetën Express se të dielën Kosova dhe Serbia janë dakorduar për agjendën e takimit që do të mbahet këtë javë.

Megjithatë, BE-ja thotë se nuk mund të ndajë detaje për agjendën, përveç, atyre që ka deklaruar në konferencën e së dielës emisari Miroslav Lajçak.

“Si rezultat i takimit të sotëm ne u pajtuam për elementet kryesore të procesit. Ne gjithashtu u pajtuam për agjendën e takimit tjetër që do të zhvillohet në Bruksel këtë të enjte”, kishte deklaruar Lajçak.

As në Qeverinë e Kosovës nuk kanë pranuar që të japin detaje lidhur me atë se cilat do të jenë pikat kryesore të diskutimit në Bruksel, megjithatë, kryeministri Hoti e ka përgatitur ekipin me të cilin do shkojë në dialog.

Njëri ndër ta është edhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi që sot ka deklaruar se Kosova do të dialogojë duke ruajtur sistemin unitar dhe integritetin territorial.

Për takimin e radhës Kosovë – Serbi ka folur edhe presidenti serb, Aleksandër Vuciq, duke thënë se agjenda është dakorduar.