Kosova e Shqipëria zyrtarizojnë një abetare për të dy shtetet

U zyrtarizua me nënshkrime të Ministreve të Arsimit të Kosovës, Arbërie Nagavci dhe Shqipërisë, Evis Kushi, përzgjedhja e Abetares së përbashkët, si e vetme e të gjithë shqiptarëve, raporton RTK. 

Shtëpitë botuese “Dukagjini” nga Kosova dhe “Botimet Pegi” nga Shqipëria të cilat u përzgjodhën më 31 maj të këtij vitit për të cilat kishte raportuar RTK, me nënshkrimin e marrëveshjes në fillimin e korrikut më datat 4 dhe 6 korrik të kërij viti, nga drejtuesit e arsimit të të dyja shteteve shqiptare, tashmë shtëpive botuese u është dhënë dritën jeshile për botimin e Abetares së re të përbashkët.

Nga shtatori, të gjithë fëmijët shqiptarë në Kosovë e Shqipëri, rrugën e arsimimit do ta fillojnë me të njëjtën abetare.

Në vendimin e përzgjedhjes së Abetares është theksuar se shtëpitë botuese “Botimet Pegi” dhe “Dukagjini” të përmbushin detyrimet e botimit për tekstin e vetëm të përbashkët “Abetare”, sipas paketës së dokumenteve :Mbi procedurat e zhvillimit të konkursit të tekstit të vetëm të përbashkët dhe kërkesat e ministrive gjegjëse.

Sipas këtij vendimi, teksti i vetëm i përbashkët “Abetare” duhet të përfshihet në katalogun e teksteve shkollore të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Abetarja e përbashkët e këtyre dy shtëpive botuese, është renditur e para në listën fituese të konkursit për tekstin e përbashkët-Abetare, e cila do të jetë abetarja e dytë e përbashkët pas asaj të vitit 2012./RTK