Kosova është e artë!

Fjala përshëndetëse në pritjen e kampioneve tona në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë:

Mirëmbrëma të gjithëve,

Le t’i urojmë mirëseardhje skuadrës tonë olimpike me një duartrokitje të madhe e të fuqishme, sepse kanë bërë historinë në Tokio.

Të dashur qytetarë,

Edhe pse nuk mori medalje të artë në Tokio, ajo i ka marrë zemrat tona. Me suksesin dhe përkushtimin e saj ajo e trasoi rrugën për atletët e tjerë që të ëndërrojnë më shumë e të synojnë më lartë.

Ajo i solli Kosovës medaljen e parë të artë duke u bërë simbol i shpresës dhe i guximit dhe duke dëshmuar se me përkushtim gjithçka është e mundur.

Kampione në tatami, kampione në jetë, kampione përjetë. Një duartrokitje për kampionen Majlinda Kelmendi.

Në Olimpiadën e parë në Rio, Majlinda solli medaljen e parë të artë, kurse në Olimpiadën e dytë për Kosovën në Tokio, Distria dhe Nora bënë histori duke sjellë dy medalje të arta.
Një duartrokitje për vajzat e arta Distrinë dhe Norën.

Medaljet e arta aq sa kërkojnë talent, kërkojnë edhe disiplinë dhe motivim, kërkojnë taktikë e teknikë të përsosur. Tashmë të gjithë e dimë emrin e trajnerit të medaljeve olimpike. Me këmbënguljen dhe angazhimin e tij ai e kë bërë xhudon sinonim të fitoreve duke na frymëzuar dhe duke marrë vëmendjen e të gjithë neve. Ai është trajneri i artë Driton Kuka.

Tri medalje të arta nga tri gra. Kjo fjali me shtatë fjalë duhet të mjaftojë për të fituar çdo debat për barazi gjinore.

Faleminderit vajzave, faleminderit trajnerëve, faleminderit secilit që ka ndihmuar në suksesin që kemi arritur në Tokio.

Në Rio ishte hera e parë morëm një medalje, në Tokio hera e dytë morëm dy medalje, dhe tani le të fillojnë përgatitjet për Paris 2024 për tri e më shumë medalje.

Ju faleminderit e urime edhe njëherë.
Kosova është e artë!