Tensionet në Lindjen e Mesme dhe përplasjet mes Iranit dhe Izraelit, kanë rikthyer vëmendjen e botës edhe te Kosova dhe Serbia.
Presidenti i Amerikës, Donald Trump, ka thënë se ai do “do ta zgjidh” çështjen mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, konflikti mes dy vendeve ishte gati të shpërthente, por se të njëjtin arriti ta ndalojë.
Ish- ambasadori dhe ish- negociatori Avni Arifi deklaroi në një deklaratë për Bota Sot se Kosova ka vite që është para vendimeve të mëdha.
Sipas tij, dikur ka qenë asociacioni kompromis, ndërsa tani shihet anëtarësimi në Këshill të Evropës.
“Qëndrimin e Presidentit Trump ndaj ish Presidentit Biden e shoh si një mospajtim me Biden i cili marrëveshjen e Uashingtonit e kishte anashkaluar dhe ishte rifokusuar tek dialogu i Brukselit i udhëhequr nga BE. Kosova ka vite që është para vendimeve të mëdha por të cilat nuk kanë ndodhë në mes tjerash si rezultat i mungesës së guximit dhe mungesës së koncenzusit të brendshëm. Ata që ishin më parë pothuajse u akuzuan për tradhti kurse këta që janë e që le njohje por kishin premtuar bashkim kombëtar veç e kanë dëmtuar Kosovën. Dikur asosiacioni shihej si kompromis i Kosovës për njohje reciproke e sot shihet si kompromis për anëtarësim në Këshill të Evropës. E vështirë nga kjo perspektivë me kuptuar çka do të nënkuptonte Trump me kompromise të mëdha”, deklaron Arifi për “Bota sot”.
Ndërsa, analisti dhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Eduard Gashi, thotë për Bota Sot se deklarata e Trump duhet të kuptohet në një kontekst shumë më të gjerë.
Sipas tij, deklarata mund të nënkuptojë edhe rikthimin e një qasje më transaksionale dhe unilaterale.
“Paralajmërimi i Donald Trump se do të “rregullojë” vendimet e “marrëzishme” të Joe Biden sa i përket çështjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të kuptohet në një kontekst shumë më të gjerë sesa thjesht një rivalitet brenda politikës së brendshme amerikane. Ai ka pasoja direkte dhe indirekte për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, pozicionin ndërkombëtar të Kosovës dhe përparësitë strategjike të SHBA-ve në raport me BE-në dhe fuqitë tjera ndërkombëtare si Rusia dhe Kina. Në vijim paraqes një analizë të thelluar politike dhe strategjike mbi këtë çështje:
Deklarata e Trump për “rregullimin” e vendimeve të Biden mund të nënkuptojë rikthimin te një qasje më transaksionale dhe unilaterale, si ajo që pamë gjatë mandatit të tij të parë. Kujtojmë marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020, e cila ishte një dokument me shumë elemente ekonomike, por që thellë në thelb kërkonte një normalizim të marrëdhënieve sipas interesave strategjike amerikane, jo domosdoshmërisht sipas interesave të popujve lokalë.
Trump mund të shohë çështjen Kosovë-Serbi si një mundësi për “sukses diplomatik të shpejtë”, sidomos nëse ia del të shtyjë për një marrëveshje përfundimtare, edhe nëse ajo do të përfshijë kompromise të rënda për Kosovën – përfshirë autonominë e thellë për komunat me shumicë serbe, bashkëadministrim të veriut, apo edhe ndryshime simbolike në kushtetutshmëri, që e vendosin shtetësinë e Kosovës në pozita më të brishta”, deklaron Gashi.
Sipas tij, Kosova gjendet në një fazë të re të presionit ndërkombëtar dhe rrezikon të përdoret si monedhë për të përfituar më shumë në negociatat me Izraelin apo për të rritur ndikimin në Ballkan./Bota Sot