Kosova në zi për viktimat e aksidentit në Kroaci

Në Kosovë është sot ditë zie për viktimat që pësuan të dielën në një aksident rrugor në Kroaci.

Dhjetë vetë me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe mbi dyzet u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod.

Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë.

Në mesin e viktimave është njëri shofer, ndërsa dy nga pasagjerët e plagosur janë të shtrirë në njësi të kujdesit intensiv në Sllavonski Brod.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli të hënën ditë zie në nderim të viktimave, ndërsa ndërpreu vizitën në Japoni për shkak të aksidentit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi të dielën mbrëma të plagosurit në Sllavonski Brod.

“Kjo fatkeqësi, kjo tragjedi është tejet e rëndë për ne”, tha Kurti.

Të gjithë të mbijetuarit e aksidentit ndodhen ende në Kroaci. Mësohet se autoritetet e Kosovës dhe ato të Kroacisë po punojnë për organizimin e sjelljes në Kosovë të udhëtarëve të palënduar dhe të atyre me lëndime të lehta.

Ministri kroat i Shëndetësisë, Vili Berosh, tha se disa të lënduar lehtë do të lirohen gjatë ditës së sotme nga spitali.

“Të gjithë të përfshirëve në këtë ngjarje tragjike do t’iu ofrohet ndihmë psikologjike”, tha ai.

Autoritetet thanë se shoferi që po voziste autobusin, u ndalua nga policia.

“Ai [shoferi] tha se e mori gjumi për një moment”, tha zëvendësprokurori lokal, Sllavko Pranjiq.