Kosova niset në Çeki, pa Vedat Muriqin, Chalandes ka planin

0

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, e ka pranuar se e ka të pamundur ta zëvendësojë Vedat Muriqin me një lojtar të stilit të tij, por ka këmbëngulur se do të gjejë zgjidhje për këtë problem në ndeshjen e së enjtes kundër Republikës së Çekisë. Sulmuesi në formë Muriqi e lëndoi kyçin e këmbës në një ndeshje me klubin e tij, Fenerbahce, në fundjavë në Superligën turke, dhe të martën Federata e Futbollit e Kosovës konfirmoi se ai nuk ka arritur të riaftësohet me kohë dhe nuk do të jenë në gjendje të luajë, raporton Gazeta Express. Kosova do të përballet me Çekinë nesër në Plzen duke e ditur se vetëm fitorja e mban në garë për t’u kualifikuar në Euro 2020 në ndeshjen e fundit kundër Anglisë të dielën në Prishtinë, raporton Gazeta Express. Duke folur të mërkurën në një konferencë për media në Plzen, Challandes zbuloi se nuk po mendon ta zëvendësojë Muriqin me Atdhe Nuhiun. “Muriqi është një problem i vogël, por do të gjejmë zgjidhje. Nuk e kemi një lojtar të dytë si ai, por e rëndësishme është që ta japim një përgjigje si ekip. Nuk mund ta them nëse do të luajë Nuhiu në vend të Muriqit”, tha Challandes.