Kosova nuk pranon vaksinat e Ramës, Kurti e Vitia: Faleminderit, por nuk duam vaksina kineze dhe ruse

Qeveria Kurti ka ndërmarrë këtë fillimjavë edhe masat e reja për pandeminë e Covidit në vend. Në konferencën për shtyp, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se Kosova nuk pranon vaksinat kineze dhe ruse të ofruara nga qeveria Rama.

Qeveria e Kosovës miratoi 46 pika me masa të ndryshme në lidhje me parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19 në vend. Qeveria Kurti ka vendosur për ndalimqarkullim të qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, mësimi do të kalojë online dhe restorantet do të punojnë vetëm me porosi. Masat kundër pandemisë i ka bërë me dije ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Gjatë konferencës për shtyp ai tha se Shqipëria mori përsipër që të vaksinojë mësuesit e Kosovës, mirëpo ky proces ka ngecur për shkak se Shqipëria ka mbetur pa dozat e vaksinës Pfizer ose AstraZeneca dhe Kosova nuk pranon që mësuesit të vaksinohen me vaksinat kineze ose ruse. përcjell OraNews.

“Kam qenë në kontakt me kryeministrin e Shqipërisë lidhur me çështjen e vaksinimit në Kukës ku kemi kërkuar që kjo tu mundësohet edhe mësimdhënësve, jo vetëm punëtorëve shëndetësorë por për këtë gjë më pas kanë vazhduar komunikimin e tyre ministrat përkatës, Vitia dhe Manastirliu. Në parim duhet ta kemi parasysh se Republika e Kosovës duke qenë se nuk njihet nga jo pak shtete në botë në mesin e të cilave janë edhe dy fuqitë e mëdha që janë dhe anëtare të Këshillit të Sigurimit, nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave gjithandej siç po bëjnë disa shtete të tjera. Orientimi ynë është europian dhe euroatlantik me shtete të cilat na kanë njohur prandaj dhe kemi rezervën tonë, skepticizimin tonë dhe qëndrimin tonë të qartë karshi ofertave të ndryshme që do të mund të na vinë nga shtete mosnjohëse jashtë Europës. Situata në këtë aspekt është më delikate për Republikën e Kosovës sesa të gjitha vendet e tjera të rajonit”, theksoi Kurti.

Edhe ministri Vitia theksoi se në fillim nga kryeministri Rama dhe ministrja Manastirliu kemi pasur një ofertë gjeneroze që të vaksinohet stafi mjekësor me vaksinat Pfizer ose AstraZeneca në territorin e Shqipërisë ku ne do të organizonim procesin e vaksinimit dhe të transportit të organizuar. Por vaksinat që erdhën me kontigjentin e parë, 24 mijë vaksina, për shkaqe logjistike, vaksinimi i personelit shëndetësor më shpejt ndodhi në Republikën e Kosovës dhe kam këkruar nga Manastirliu dhe qeveria shqiptare që kjo të mundësohet dhe për vaksinimin e katogorive të tjera, mësimdhënësit. “Por fatkeqësisht vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca kanë mbaruar në Shqipëri dhe ka mbetur vetëm Sinovac me prodhim nga Kina. Për arsye që ne në Republikën e Kosovës edhe po të donim na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë rtë regjistruara nga EMA, në këtë situatë nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit tanë të vaksinohen me vaksina që ne nuk mund të garantojmë për to, duke mos qenë të regjistruara në Kosovë. Kjo është arsyeja pse është shtyrë procesi. Manastirliu më ka thënë që në momentin kur do të kemi vaksina Pfizer dhe AstraZeneca do të shohim mundësinë që ky vaksinim të ndodhë në një moment tjetër”, theksoi Vitia.

Ndërsa kryeministri Kurti tha se vendimet e marra janë me qëllim mbrojtjen e jetëve të qytetarëve. Një nga pikat e masave të së hënës është edhe testi negativ për të hyrë në Kosovë, ndryshe qytetarët duhet të vetëizolohen për 7 ditë. Nuk dihet nëse kjo masë prek shqiptarët e Shqipërisë që udhëtojnë për në Kosovë.(INA)