Kosova po planifikon të zgjerojë bashkëpunimin me Turqinë, në fushën ushtarake. Pas dronëve “Bayraktar TB-2”, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka paralajmëruar investime në projekte të tjera.
Këtë deklaratë, Maqedonci e ka dhënë pasi priti në takim drejtorin ekzekutiv të kompanisë “Baykar”, Haluk Bayraktar, gjatë vizitës që zhvilloi i njëjti në Kosovë.
Siç e ka theksuar edhe Ministri Maqedonci në shkrimin e tij, është biseduar rreth projekteve të cilat janë ende në fazën fillestare, ideore. Për nga natyra aktivitetet dhe bashkëpunimi në fushën ushtarake të cilat zhvillohen aktualisht nuk mund të ndahen me publikun”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Blerje të reja nga Turqia në këtë fushë kishte paralajmëruar edhe ish-ministri Armend Mehaj, gjatë një vizite në Turqi ku ishte takuar me Bayraktar
Blerjen e dronëve, Mehaj e kishte cilësuar si një nga investimet më të mëdha në ushtri gjatë viteve të fundit.
“Për të falënderuar për bashkëpunimin parimor dhe të besueshëm si dhe për të parë fusha tjera në të cilat mund të ngrisim kapacitetet tona mbrojtëse, kam takuar shefin e kompanisë Baykar, z. Haluk Bayraktar. Pajisjet e ushtrisë tonë për qëllime të mbrojtjes, do të vazhdojnë të jenë prioritet i yni në suaza të standardeve të NATO-së”, shkroi Mehaj në Facebook, pas takimit.
Për fluturaket që Kosova bleu nga Turqia ishte deklaruar mbrëmë Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, i cili kishte thënë se ardhja e dronëve “Bayraktar TB-2” në Kosovë ishte rezultat i një marrëveshjeje dhe jo një donacioni.