Kosova vendos masa ndaj disa produkteve të Maqedonisë

0

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Endrit Shala, ka vendosur masa reciproke ndaj mjaltit dhe patateve të Maqedonisë Veriore. Sipas tyre Maqedonia është duke aplikuar barriera tarifore ndaj produkteve të Republikës së Kosovës.

Sipas komunikatës për media nga MTI, Shala ka theksuar se që nga qershori i këtij viti kur produktit të Kosovës, rasadit të peshkut i janë vendosur barrierat tarifore nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka dërguar ankesa përmes sekretariatit të CEFTA-së dhe po ashtu iu ka drejtuar me letër ministrit të ekonomisë, por që nuk kanë reflektuar.

“Dhe tashmë kanë kaluar dy muaj dhe nuk kemi asnjë përgjigje, prandaj jam i detyruar që në mbrojtje të interesit të Kosovës, biznesit Kosovar dhe në mbrojtje të prodhimeve tona që të ndërmarr veprime të tjera ligjore, në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës. Sot kam marr vendim që të vendos masa reciproke për produktet e Maqedonisë së Veriut që importohen në Kosovë dhe të ndalojë hyrjen e disa produkteve në mënyrë që të detyrojë shtetin e Maqedonisë së Veriut që të reflektoj dhe të ketë tretman të barabartë për produktet e Kosovës që hyjnë në atë shtet”, tha ministri Shala.

Ministri kosovar, Shala ka theksuar se duhet të ketë trajtim të barabartë, që sipas tij, është e vetmja rrugë që duhet të ecim përpara.