Kosovë: AKR e Nisma Socialdemokrate me koalicion parazgjedhor

0

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj dhe kryetari i Aleanca Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, nënshkruan të premten një marrëveshje për krijimin e një koalicioni parazgjedhor.

Kjo është marrëveshja e dytë e tillë e arritur në Kosovë ku tashmë partitë politike po bëhen gati për zgjedhjet e reja.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli tha se dy partitë do të garojnë bashkë me një program të përbashkët qeverisës.

Ai theksoi se së bashku do të punojnë për zhvillimin e ekonomik të vendit dhe avansimin e proceseve euro-atlantike.

Bisedime rreth koalicioneve të mundshme janë duke u zhvilluar në shkallë të gjerë në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje po kërkon një koalicion të tillë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila ndonëse ka theksuar se dëshiron të shkojë e vetme në zgjedhje, po zhvillon takime me partitë politike për të diskutuar rrjedhën e zgjedhjeve të reja.

Tash për tash të gjitha këto parti kanë hedhur poshtë mundësinë që të lidhen në ndonjë koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës./Ina/