Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Kosovës e përfundoi procesin e numërimit të votave, rreth një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në vend më 9 shkurt.
Votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta ishin të fundit që u numëruan në Qendrën e Numërimit të Rezultateve. KQZ pritet t’i shpallë rezultatet përfundimtare për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dy ditë pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave. Sipas rezultateve përfundimtare, që përfshijnë edhe votat në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike dhe me postë, asnjëra parti nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme. Për të pasur shumicën, nevojiten së paku 61 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës. Si partia e parë, Vetëvendosje i ka fituar 42.27 për qind të votave, duke i siguruar 48 ulëse. Udhëheqësi i saj, kryeministri Albin Kurti, është zotuar se do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur. Partitë aktualisht në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me të. KQZ-ja pritet të bëjë certifikimin e rezultateve në mes të këtij muaji. /Alsat.mk