Kostot e jetesës rriten nga çmimet e larta, por qeveria shpenzoi më pak për ndihmën ekonomike në 5-mujorin e parë

Familjet e varfra, ato që trajtohen me ndihmë ekonomike po ndeshën më vështirësi kohët e fundit, për shkak të shtrenjtimit të kostos së jetesës nga çmimet e larta, por gjithashtu ndaj tyre qeveria ndau më pak fonde në 5-mujorin e parë të vitit.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, pagesa e ndihmës ekonomike shënoi rënie vjetore me 2% gjatë janar-maj 2022.

Në të dhënat fiskale të qeverisë raportohet se në 5 mujor në zërin “Ndihmë Ekonomike” u shpenzuan 9,4 miliardë nga 9.7 miliardë lekë që u dhanë në të njëjtën periudhe të vitit të kaluar.

Fondet për familjet e varfra erdhën në ulje në një kohë që pagesat mesatare ndaj përfituesve janë shumë poshtë nivelit të varfërisë relative me (5.5 USD në ditë), duke injoruar rekomandimet e institucioneve Financiare ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore për të rritur masën e ndihmës ndaj kësaj kategorie.

Mirëpo, ndërmjet raportimeve të ndryshme shihet se përfitimet reale të ndihmës ekonomike janë shumë të ulëta. Psh Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që menaxhon të gjithë programin e ndihmës ekonomike raportoi se vitin e kaluar u shpenzuan 6.4 miliardë lekë, ndërsa për të njëjtën periudhe INSTAT raporton një vlerë edhe më të ulët.

Trajtimi në këtë mënyrë i shtresës më të varfër në vend vjen në një kohë kur Shqipëria kryeson renditjen europiane për përqindjen më të lartë të personave në varfëri.

Ekspertë vendas të ekonomisë dhe institucionet financiare thanë se qeveria çon shumë pak fonde për shtresat në nevojë në raport me mundësitë. Më herët këtë muaj, Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratën përmbyllëse të misionit në vendin tonë, tha se, “Buxheti i vitit 2022 (si? u rishikua në mars) ka hapësirë të mjaftueshme për të mbështetur qytetarët dhe ekonominë”.

Sakaq rritja e paprecedentë e çmimeve pritet të çojë në varfëri edhe familje të tjera. Muajin e kaluar çmimi i vajit pësoi rritje vjetore me 29%, bulmetrat ishin 18 % më shumë se një vit më parë dhe buka kushtoi 19 për qind më shumë. Këto produkte janë baza e konsumit në familjet e varfra.

Nga ana tjetër masa e ndihmës ekonomike në 5-mujorin e parë 2022, pagesat për ndihmën ekonomike, në raport me totalin e shpenzimeve buxhetore, arritën nivelin më të ulët që nga viti 2018. Fondet e alokuara për këtë zë ishin 4.4 % e shpenzimeve totale buxhetore, nga 4.6 % në të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Të dhënat tregojnë se shpenzimet buxhetore në përgjithësi janë rritur më shumë se pagesat për të varfrit, kurse rënia duhet të jetë edhe më e madhe për shkak të inflacionit të lartë gjatë kësaj periudhe.

Çmimet mesatare në 4-mujorin 2022 u rritën 5% dhe së paku me kaq është zhvlerësuar edhe fondi i ndihmës ekonomike për familjet e varfra, duke e theksuar edhe më tej rënien në raport me vitet e kaluara.

Edhe pse qeveria shqiptare pagoi një kredi të shtrenjtë për të reformuar fondin e ndihmës ekonomike në vitin 2014, për të rritur pagesat për familjet që me të vërtetë e meritojë, pagesat sërish mbeten poshtë nivelit të varfërisë relative./Monitor/