Ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ish-ministri i brendshëm, Oliver Spasovski do të marrin nga 2500 euro në muaj si apanazhë, një pagesë që çdo funksionari të larë i miratohet për një vit, nga përfundimi i detyrës zyrtare, përcjell INA.
Kovaçevski përpos kësaj pagese të majme ka kërkuar edhe një makinë zyrtare, harxhimet e së cilës do ti mbulojë shteti.
Kërkesat e zyrtarëve të lartë të LSDM u pranuan dhe u miratuan nga Komisioni për zgjedhje dhe emërime në Kuvend.
Kompensimi është në masën e pagës që i emëruari ka marrë në detyrë, që do të thotë se të dy do të marrin 2500 euro në muaj për të gjithë vitin.
Në sallë ishin të pranishëm vetëm deputetët e LSDM-së dhe me shtatë vota “për” dhe pa diskutim u miratuan vendimet.
“Ish-kryeministri Kovaçevski, të cilit i është ndërprerë funksioni për shkak të zgjedhjes së qeverisë kalimtare, ka paraqitur kërkesë për pagë pas përfundimit të detyrës. Kurse ish-ministri Oliver Spasovski, të cilit i është ndërprerë detyra në përputhje me Ligjin për Qeverinë, ka paraqitur kërkesë për pagë pas përfundimit të detyrës”, tha kryetarja e Komisionit, Marija Georgievska. Përveç ish-kryeministrit dhe ish-ministrit të Punëve të Brendshme, apanazh do të marrin edhe Vesna Bendevska nga Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi, si dhe Ismail Kamberi nga Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi. (INA)