Kovaçevski: Të mos ishin subvencionet e shtetit, qytetarët pesë herë më shtrenjtë do të paguanin faturat e energjisë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka theksuar se po mos të ishin subvencionet e shtetit për furnizimin me energji elektrike, qytetarët dhe kompanitë do të paguanin pesë herë më shtrenjtë faturat.

“600.000 amvisëri dhe 70.000 kompani që janë në tregun e rregulluar në vend furnizohen me energji elektrike të subvencionuar. Nëse Qeveria nuk subvencionon 80 për qind të çmimit të energjisë elektrike, faturat e qytetarëve do të ishin pesë herë më të larta”, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski në një intervistë për NRTV, përcjell INA.

Sipas tij, Qeveria po zhvillon “negociata intensive me vendet fqinje dhe vendet e tjera për të ofruar energji elektrike me çmim të favorshëm për ekonominë, konsumatorët e mëdhenj”, ndërsa në të njëjtën kohë termocentralet tona po punojnë me kapacitet të plotë.

“Kemi zhvilluar takime me të gjitha vendet fqinje për të mundësuar rrjedhjen e qetë të energjisë. Me Republikën e Greqisë për furnizim të pandërprerë me thëngjill dhe mazut, sepse nafta vjen nga Greqia në Maqedoni. Me Republikën e Shqipërisë edhe për rrjedhjen e papenguar të qymyrit, sepse aty ka edhe depozita të qymyrit cilësor. Tani do të fillojë nxjerrja e xehes nga miniera e Zhivojno-s. Aktivizuam objektet që më parë nuk ishin shfrytëzuar për energji elektrike – Oslomej, TEC Negotinë. Me kërkesë të Dhomës së Tregtisë dhe odave të tjera ekonomike, tashmë kemi diskutuar me Republikën e Bullgarisë që gjatë dimrit të mos ketë ndërprerje të lidhjeve ndërkombëtare të energjisë elektrike. Në dhjetë vitet e fundit ka ndodhur tre herë, kur ka pasur mungesë të energjisë elektrike, ka pasur ndërprerje të transitit ndërkombëtar të energjisë elektrike. Po ashtu jemi duke biseduar me Republikën e Serbisë, Republikën e Bullgarisë dhe Republikën e Turqisë për sigurimin e energjisë elektrike me çmime që do të jenë të përshtatshme për ekonominë tonë”, tha kryeministri Kovaçevski në një intervistë për NRTV.

I Pari i Qeverisë shtoi se aktualisht po zhvillohen takime, në të cilat është i përfshirë edhe kryetari i Odës Ekonomike, për të gjetur zgjidhje që kompanitë të sigurojnë energji elektrike me çmim më të ulët se ai i bursave botërore. (INA)