Krasniqi: Edhe nëse mbyllemi ka rrezik që të kemi rezultate të njëjta

0

Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se mbyllja nuk është më opsion për të kontrolluar përhapjen e virusit.

Ai ka thënë se qytetarët duhet të u përmbahen masave të rekomanduara, në mënyrë që të kemi përhapje të kontrolluar të virusit.

“Mos u futni në ambiente të mbyllura pa maskë. Mbani distancën kur jeni në ambient të hapur. Këto janë rregullat kryesore”, ka thënë ai.,

Ai ka treguar se opsioni i mbylljes totale nuk do të kishte efekt, ndërsa do të ishte edhe lajm i keq për ekonominë.

Krasniqi tregoi se me rritjen e numrit të pacientëve, rriten edhe kapacitet.

“Kemi shtretër mjaftueshëm, por mos të harrojmë se kemi dhe klinika të tjera të cilat janë për qëllime tjera, pra për pacientë të sëmurë me sëmundje tjera”, tregoi ai.

“Kemi 750 shtretër të gatshëm, dhe kemi planin që të shtojmë edhe 100 tjerë në nivel vendi”

“E dini në fillim kishim vetëm Klinikën Infektive, të dizejnuar për pritjen e pacientëve me Covid për shkak të numrit të vogël. Tani kemi një numër më të madh që erdhën pas lehtësimit të masave dhe ekspozimit të qytetarëve ndaj virusit. Masat nuk u respektuan dhe kishim numër të madh të të infektuarve”, tregoi ai.