Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka uruar besimtarët muslimanë për festën e Fitër Bajramit.
Ai ka theksuar se ky është një moment për reflektim dhe unitet, duke shtuar: “Uroj që secili nga ne të kuptojë qartë që në këtë botë jemi të gjithë kalimtarë, të vdekshëm, ndaj le të jemi të mirë me njëri-tjetrin sepse jemi bashkë për një kohë të shkurtër!”
Në fund, Taravari ka uruar gjithë besimtarët: “Gëzuar Fitër Bajramin!” .
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, i ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.
“Të nderuar besimtarë muslimanë, Bajrami, që si fjalë nënkupton një kuvendim të mbushur me muhabet, ku ngrënia, pija dhe bisedate ngrohta zënë vend në shtëpitë tona vjen si një moment për të festuar jetën, për të forcuar lidhjet mes të afërmëve dhe për të ndarë gëzimin e vërtetë me të tjerët. Festa bëhet akoma më e hareshme kur vjen pas një muaji të gjatë agjërimi ku Ramazani na ka obliguar me kufizime që synojnë një kalitje shpirtërore dhe forcimin e solidaritetit shoqëror. Ju uroj agjërim të pranuar juve dhe familjeve tuaja”, ka uruar Kasami.
Kryetari i LD-së dhe zëvendëskryeminstri i parë, Izet Mexhiti e ka uruar festën e Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.
“Në këtë ditë feste për besimtarët myslimanë, më lejoni nga thellësia e zemrës t’ua uroj Bajramin e Madh, me shpresë që Zoti t’ua ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe sakrificat tuaja përgjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Uroj të keni harmoni, bekime, dhe lumturi në familjet dhe të afërmit tuaj!
Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit. Në një mesazh video, Ibrahimi thekson se pas një muaji sakrifice, dita e Bajramit sjell kulmin e përpjekjeve shpirtërore.
“Po të krahasojmë agjërimin e Ramazanit me një vepër të bukur artistike, Bajrami është momenti i katarzës, kur shpirti mbushet me emocionin e fuqishëm të dashurisë dhe ndjenjën e ngadhënjimit,” shprehet Ibrahimi.