Kryetari i LD-së dhe Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti ka përkujtuar 27-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe nisjen e Epopesë së UÇK-së. Në një postim, ai theksoi se familja Jashari është simbol i sakrificës sublime për liri, ndërsa Prekazi mbetet vendi që rrezaton idealet e bashkimit dhe unitetit.
Postimi i plotë i Mexhitit:
5 Marsi shënon nisjen e Epopesë së UÇK-së, që simbolizon qendresën dhe sakrificën më sublime të familjes Jashari. 27 vjetori i rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari, është moment reflektimi për ecajaket e shqiptarëve dhe Kosovës drejt rrugës së lirisë, për të cilën ideal familja Jashari dha gjithçka si askush më parë.
Mbi supet e komandantit Adem Jashari, figura më madhore e luftës çlirimtare, ishin bashkuar dëshira për liri, vendosmëria për sakrificë dhe qendrueshmëria deri në flijim. Familja Jashari u bë altari nga ku nisi liria e Kosovës, ndërsa Prekazi u kthye në vendin që edhe sot rrezaton idealet e mëdha të bashkimit e unitetit.
Në këtë ditë të shënuar në kalendarin historik të shqiptarëve, e rikujtojmë amanetin e komandantit legjendar, Adem Jashari. Portreti i komandantit legjendar në Shkup e rithekson një të vërtetë të madhe se lufta për liri është gjithmonë universale. Prandaj, vepra e familjes Jashari nderohet në Prishtinë, Tiranë, Shkup e kudo në botë, ku frymon ideali i lirisë.
Komandanti Adem Jashari dhe familja Jashari janë një flamur i pavdekshëm dhe historia e tyre do të vazhdojë të inspirojë çdo brez.
Taravari: UÇK-ja është ajo pjesë e historisë së kombit shqiptar që do të zgjojë gjithnjë
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në shenjë nderimi të 27 vjetorit të Epopesë së UÇK-së duke shënuar se “Adem Jashari do të përjetësonte Prekazin e tij, Kosovën dhe gjithë shqiptarët duke falur jetën për liri në 5 mars të vitit 1998”.
UÇK-ja është ajo pjesë e historisë së kombit shqiptar që do të zgjojë gjithnjë Nderim, Respekt dhe Adhurim!
Komandat Adem Jashari do të përjetësonte Prekazin e tij, Kosovën dhe gjithë shqiptarët duke falur jetën për liri në 5 mars të vitit 1998.
Lavdi të Përjetshme Heronjve!
Lavdi të Përjetshme për UÇK-në!
Kasami: Jasharajt janë vetë historia jonë!
Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka përkujtuar 27-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe nisjen e Epopesë së UÇK-së.
“5 Marsi është një rikujtim i fuqishëm për unitetin, qëndrueshmërinë dhe vlerat që na bashkojnë si komb. Kjo ditë shënon nisjen e Epopesë së UÇK-së. Në këtë ditë, kujtojmë heroizmin dhe sakrificat e paimagjinueshme të atyre që e bënë të mundur arritjen e lirisë, duke iu përkushtuar atdheut dhe duke bërë çdo sakrificë për të ardhmen e brezave të ardhshëm.
Në 27-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari, nderojmë një prej figurave më të shquara të luftës për lirinë e Kosovës. Familja Jashari është simbol i sakrificës, guximit dhe dashurisë për atdhenë. Le të na shërbejnë si shembuj të besnikërisë dhe trimërisë për kombin dhe lirinë!
Jasharajt janë vetë historia jonë!🇦🇱”, ka shkruar Kasami.