shkruan: Naser Pajaziti
Komuna e Krushevës është rast eklatant ku shqiptarët edhe pse me regjistrimin e vitit 2021 janë 29.39% apo gati 30%, ata janë totalisht të anatemuar dhe diskriminuar sa i përket realizimit të drejtave të tyre elementare të përdorimit të gjuhës shqipe, bazuar siç thotë Kushtetuta dhe ligji për përdorimin e gjuhëve mbi 20%.
Në faqen zyrtare të komunës së Krushevës nuk ka as edhe një shkronjë në gjuhën shqipe. (https://krusevo.gov.mk/)
Shqiptarët edhe me regjistrimin e vitit 2002 kanë 21.5%, por, çka se, avazi i njejtë, për mbi 20 vite asnjë shkronjë shqip, as përfaqësim e dinjitet për jetë për ta. Ligj me ose pa 20% e shqipe në kllapa, s’ta ka përfill kush!
As përfaqësim në institucione, as respekt për gjuhën, as për dinjitetin e tyre. Ky është një alarm për shkeljen flagrante të të drejtave të garantuara me Kushtetutë.
E ndërsa kjo ndodh dhe ka ndodhur, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Qeveri dhe pushtete të rëndësishme, për 20 vite me radhë, këtë popull e kanë ushqyer me mashtrime dhe premtime boshe, duke e shitur “luftën për të drejtat tona” si një justifikim për të ruajtur pozitat e tyre personale. Në fakt, ata kanë dështuar të mbrojnë interesat e shqiptarëve të Krushevës dhe të shumë komunave të tjera me probleme të ngjashme.
Situata në Krushevë nuk është thjesht një problem lokal. Është një tregues i qartë i trajtimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Janë Agjencitë dhe Inspektoratet për mbrojtjen dhe respektimin e gjuhëve që me urgjencë duhet të korrigjojnë këtë padrejtësi dhe diskrimin të rëndë bazuar në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjit, po atij ligji me 20 % e që shqipja është e vendosur në kllapa.
Demaskimi vijon me të tjera….