Kryeministri i ri bullgar Kiril Petkov së shpejti pritet që ta realizoj vizitën e parë në Maqedoninë e Veriut.
Ai bën të ditur se data e vizitës së tij të parë ndoshta do të jetë 18 janari, por megjithatë ende nuk është bërë zyrtare.
Në një intervistë për televizionin Bloomberg, siç raporton MIA nga Sofja, Petkov tha se dëshirojnë të krijojnë një kornizë krejtësisht të ndryshme për bisedimet me homologun nga Maqedonia e Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Petkov tha gjithashtu se nuk e kupton pse duhet të fluturojë përmes Vjenës për të shkuar në Shkup, duke theksuar se duhet të ketë fluturime Sofje-Shkup. Ai shtoi se nuk e kupton pse nuk ka lidhje hekurudhore mes dy qyteteve. Ai tha se ata do të fokusohen në infrastrukturën, ekonominë, shkëmbimet kulturore, pranimin në BE dhe historinë, përcjell INA.
Kryeministri bullgar mendon se prioriteti i parë duhet të jetë ajo nga e cila do të përfitojnë të dy vendet dhe kështu zgjidhja do të jetë më e lehtë. Maqedonia nuk i filloi negociatat fillimisht për shkak të kundërshtimit francez dhe më pas për shkak të vetos bullgare.