Kryeministri Kovaçevski në shënjestër për implikim në biznese me energjinë

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE akuzoi sot kryeministrin, Dimitar Kovaçevski dhe kumbarin e tij, Goran Paunov se janë të përfshirë në biznese në fushën e energjetikës, që kapin vlerën e 26 milionë eurove.

Deputeti i VMRO-së, Mile Levfkov deklaroi se, kompani të themeluara nga Kovaçevskit dhe të afërm të tij familjar përfitojnë shuma milionëshe në biznes energjetik, edhe atë derisa shteti është në krizë, ndërsa populli lufton për mbijetesë, raporton Klan M.

“Vetëm nga tenderë shtetëror për disa vite të fundit, këto kompani kanë marrë 1,8 milionë euro. Në vitin 2021, kur Dimitar Kovaçevski ishte zëvedësministër i financave, KMG EOL Kvazar lidh marrëveshje me EVN-në, ndaj së cilës tani kur Kovaçevski është kryeministër, ka pronësi mandatare përmes pjesës shtetërore në EVN, edhe atë për realizimin e punimeve dhe dërgimin e paneleve fotovoltaike, në vlerë prej mbi 2 milionë euro”, theksoi Levkov.

Por nga LSDM kanë mohuar akuzat duke thënë se me 28 shtator 2020, Dimitar Kovaçevski e ka tërhequr plotësisht shumën e mjeteve financiare të investuara për të siguruar likuiditetin fillestar të kompanisë.

“Është bërë e ditur publikisht, që ai t’i përkushtohej plotësisht detyrës që mbante në atë kohë, ushtrues detyre i ministrit të Financave. Të gjitha këto mund t’i shohë në anketën e Kryeministrit. VMRO-DPMNE është e dëshpëruar, e sulmon kryeministrin Kovaçevski sepse është i ndershëm dhe punon për qytetarët, ndërsa Mickoski lufton për tenderë dhe komisione. Se bëhet fjalë për manipulim të sajuar të VMRO-DPMNE-së, shihet nga fakti se përmendin ndihmën shtetërore për kompanitë, e cila vlen për të gjitha kompanitë që i kanë plotësuar kushtet”, thuhet në reagimin e LSDM-së.(INA)