Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpallur publikisht mbështetjen për ministrin aktual të Bujqësisë, Faton Peci, si kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti e ka cilësuar Pecin si “ministrin më të suksesshëm të Bujqësisë” dhe “bashkëpunëtor shembullor” në kuadër të koalicionit qeverisës. Ai ka bërë të ditur se Peci, që është edhe bashkëkryetar i Partisë Guxo, ka marrë mbështetjen e plotë të qeverisë për kandidaturën e tij.
“Fatoni e do shumë Mitrovicën e tij, e ai i duhet Mitrovicës sonë. Sot është ministër në detyrë. Në vjeshtë, Faton Peci do të jetë kryetar në krye të detyrës,” ka shkruar Kurti.
Faton Peci ka udhëhequr Ministrinë e Bujqësisë që nga fillimi i mandatit të qeverisë Kurti II dhe është vlerësuar për qasjen e tij reformuese dhe mbështetjen ndaj fermerëve, sidomos gjatë krizave të fundit ekonomike.
Zgjedhjet në Mitrovicën e Jugut pritet të jenë një nga garat më të ndjekura në nivel lokal, për shkak të rëndësisë politike dhe simbolike që ka kjo komunë. (INA)