Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka asnjë shpjegim racional për bllokadën politike që po ndodh në Kosovë. Në një konferencë për media, ai kritikoi ashpër opozitën, duke thënë se për dallim nga çdo opozitë demokratike në botë që synon t’i shkurtojë mandatin qeverisë, opozita në Kosovë po bën të kundërtën – po ia zgjat qëndrimin në pushtet.
“Kam hyrë në çerekun e dytë të vitit të pestë të mandatit tim, dhe opozita, në vend që të kërkojë zgjedhje të reja, po më mban në pushtet. Disa mund të mendojnë se kemi një marrëveshje të fshehtë me opozitën, por kjo nuk është e vërtetë. Nuk kam asnjë shpjegim racional për këtë sjellje”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se është thelbësore që partitë e tjera parlamentare të marrin pjesë në votimin për konstituimin e Kuvendit. Kurti paralajmëroi se, kur të vijë momenti për formimin e qeverisë së re, Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve do të dëshmojë se ka numrat për të udhëhequr.
“Konstituimi i Kuvendit nuk është vetëm përgjegjësi e fituesit, por një proces i përbashkët. Ne të gjithë duhet të marrim pjesë që të mundësojmë krijimin e institucioneve të reja. Vetëm atëherë do të vijë radha e formimit të qeverisë, ku ne do ta dëshmojmë shumicën”, deklaroi Kurti.
Ai gjithashtu sqaroi se kishte ofruar bisedime për një koalicion me LDK-në, por ishte refuzuar ashpër. Sa i përket mungesës së deklaratave të tij para objektit të Kuvendit, Kurti tha se atje flet si një nga deputetët e VV-së, ndërsa në rolin e tij si kryeministër në detyrë, po vazhdon t’i përmbushë të gjitha obligimet institucionale.