Kryeparlamentari Ruçi: Deputetët duhet të kenë integritet ligjor, politik, moral, të tjerët që nuk durojnë, të ikin vetë

0

Deputet me integritet ligjor, politik e moral, të tjerët të ikin vetë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi: Shmangia e konfliktit të interesit është një problem thelbësor për të tri pushtetet

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, duke folur në simpoziumin për Konfliktin e Interesit, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave theksoi se shmangia e konfliktit të interesit është problem thelbësor për të 3 pushtetet.

Shmangia e interesit të 3 pushteteve

Kryeparlamentari Ruçi: Konflikti i interesit ndodh në dy plane: Në planin makro-politik dhe ligjor, pra në vendim-marrjet politike e ligjore, të cilat duhet të jenë në shërbim të interesit publik. Në planin mikro, në sjelljet e qëndrimet individuale të politikanëve e deputetëve, të cilët duhet t’i shërbejnë interesit publik. Kuptimi i cekët, i paplotë dhe i pasaktë i konceptit ligjor mbi konfliktin e interesit ka vështirësuar parandalimin e mënjanimin e tij në funksionarët publikë. Ne kemi një bazë ligjore pak a shumë të plotë për këtë çështje. Shmangia e konfliktit të interesit është një problem thelbësor për të tri pushtetet: degën legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Por shtrimi i këtij problemi në Kuvendin e Shqipërisë merr një rëndësi të veçantë. Sepse Kuvendi është kantieri ku përgatitet e përmirësohet kuadri ligjor për shmangien e konfliktit të interesit, është “agoraja” ku debatohet, kundërshtohet e vendoset. Dega legjislative e qeverisjes duhet dhe do të monitorojë zbatimin e legjislacionit përkatës nga pushteti ekzekutiv. Në Kuvend duhet të ndalojmë kategorikisht vendimmarrjet me konflikt interesi midis deputetëve e akteve të votuara prej tyre. Ne, si deputetë, drejtues partish apo titullarë institucionesh duhet të ndahemi nga aktivitetet lobiste korruptive. Prandaj Kuvendi mori nismën dhe bëri thirrje për regjistrimin e lobistëve. Shmangia e konfliktit të interesit vështirësohet jo për shkak se legjislacioni, institucionet e burimet njerëzore janë jo perfektë, por për shkak të përmasës e përmbajtjes morale të kësaj dukurie.

Deputetë të ndershëm

Kryeparlamentari Ruçi theksoi se koha shtron domosdoshmërinë, që të kemi në Parlament, deputetë të ndershëm, me integritet politik, moral dhe ligjor. Kryeparlamentari Ruçi: Përveç përgjegjësisë ligjore e politike, është përgjegjësia jonë që personaliteti i deputetit të rrezatojë integritet ligjor, politik e moral. Ne duhet të jemi deputetë të ndershëm. Por nëse dikush nuk mund të përballojë dot standardet e ndershmërisë, atëherë le të zgjedhë të mbetet i ndershëm, pa qenë deputet. Kush nuk duron të nxehtët, të mos rrijë në kuzhinë! Tashmë është momenti të konkretizojmë veprimet tona, të marrim masat e duhura, për të qenë me transparent me publikun dhe në funksion e interes të qytetarëve. Defektet ligjore, morale e kulturore përshkojnë horizontalisht gjithë shoqërinë e institucionet, jo vetëm hierarkitë e tyre. Sot jemi këtu për të diskutuar dhe rritur sensibilizimin e çdonjërit prej nesh që, ashtu siç bëjmë ligje e kërkojmë zbatimin e tyre nga të tjerët, institucionet, organet përgjegjëse apo edhe qytetaret, të zbatojmë në radhë të parë detyrimet tona. Tashmë është momenti të konkretizojmë veprimet tona, të marrim masat e duhura, për të qenë me transparent me publikun dhe në funksion e interes të qytetarëve. Udhëzuesi që kemi miratuar në zbatim të Kodit të Sjelljes është një instrument i dobishëm që përmban rregullat, shpjegimet dhe modelet e sjelljes për çdo rast, përfshirë edhe Regjistrin e konfliktit të interesit për deputetin