Në mbledhjen e Kryesisë qendrore të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), është autorizuar Ali Ahmeti siç thuhet “që të udhëheqë procesin e bisedimeve me partitë tjera shqiptare dhe pro-evropiane me qëllim të konsolidimit të Frontit Evropian dhe atij Kombëtar, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme lokale.”
Zëdhënësi dhe nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi theksoi se “gjatë takimit është zhvilluar një debat thelbësor dhe vizionar për sfidat që i presin shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme lokale.”
Ai shtoi se vendimi për t’i besuar Ali Ahmetit udhëheqjen e këtij procesi vjen si rezultat i një harmonie të plotë brenda strukturave partiake, me qëllim siç tha arritjen e një fitoreje sa më të madhe për të gjithë qytetarët e vendit.
Ky zhvillim ndodh në prag të një faze të re zgjedhore, ku pritet që partitë politike dhe koalicionet të shpallin kandidaturat për garën për zgjedhjet lokale.(INA)