Kryetarja e sapozgjedhur e degës rajonale të Forumit të Gruas së Lëvizjes BESA në Tetovë Kaltrina Beqiri nëpërmjet një shkrimi në Facebook u ka kërkuar falje të gjitha atyre vajzave dhe grave që kanë mbetur jashtë Pallatit të Kulturës.
Kujtojmë se mbrëmë ka patur prezencë masovike të grave në kuvendin e degës rajonale të Forumit të Gruas në Tetovë.
Ja shkrimi i plotë i Kaltrina Beqirit:
Të dashura nëna, motra dhe të gjithë Ju,
Duke Ju falënderuar të gjithëve që mbrëmë në një atmosferë impozante mbajtëm Konventën Themeluese të Forumit të Gruas- rajoni i Tetovës, dëshiroj që t’ju kërkoj falje publike që mbrëmë nuk arritëm që të sigurojmë vende për të gjitha gratë që kishin ardhur të merrnin pjesë në themelimin e Degës së Forumit të Gruas të Lëvizjes BESA në Tetovë. Dua të falënderoj të gjithë ato nëna, motra e vajza që përgjatë gjithë Konventës ishin të detyruara të qëndrojnë në këmbë për shkak se Qendra për Kulturë ishte e vogël për Konventën tonë. Ne nuk e kishim imagjinuar se përkrahja juaj do të jetë aq e madhe, aq impozante dhe aq masovike, nuk e kishim imagjinuar se Lëvizja BESA ishte bërë aq e madhe, aq e dashur për Ju nëna dhe motra tetovare.
Ne, mbrëmë e vërtetuam se jemi shtylla e shoqërisë, e gruaja në politikat e Lëvizjes BESA zë vend të rëndësishëm.
Mbi 1000 gra e motra. 1000 herë falenderime, 1000 herë mirënjohëse për të gjithë Ju!
Unë do të jemë zëri Juaj së bashku me 100 Kuvendaret! Bashkë për më të miren!