Kryetarja e Shkupit, Arsovska pa trupëroje: S’ka burrë që më frikëson e kërcënon (VIDEO)

Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, në emisionin debativ “Click Plus” në TV21 tha se nuk ka frikë dhe nuk ka trupëroje.

Ajo shtoi se nuk ka asnjë burrë aq të fortë në vend që të kërcënojë sigurinë e saj.

“Po, kërcënime ka, ka pasur gjithmonë dhe besoj se do të ketë, por përsëri këto janë fjalë nga njerëz të pasigurt në vetvete, të cilët e dinë se po bëjnë diçka që nuk është e duhura, që nuk i ka hije”, theksoi Arsovska.

Ajo shtoi se nuk ia ka frikën askujt dhe se momentalisht po fokusohet në realizimin e programit që ajo ka shpalosur para qytetarëve.

“Mendoj se gjithçka që kam thënë u qëndroj pas atyre fjalëve, por më e rëndësishmja është të fokusohemi në realizimin e projekteve që kemi premtuar t’i realizojmë për të mirën e qytetarëve. Ajo që bëjnë individët duhet t’i shërbejë nderit të tyre dhe nuk mendoj se duhet të mendoj më për të gjitha ato gjëra. Përgjegjësia do të vijë aty ku i takon, dhe ajo që më pyete se kush është pas meje dhe nëse jam e sigurt, jam shumë e sigurt sepse e di se çfarë po bëj, besoj në qëllimet e mia të sinqerta. Kemi parë një numër të madh drejtorësh, të cilët, sikur me shtypjen e një butoni, praktikisht në mënyrë servile filluan të japin dorëheqje, gjë që tregoi dhe dëshmoi se interesat e qytetarëve nuk ishin asnjëherë prioriteti i tyre”, tha Arsovska.(INA)