Kthehen nga diaspora, krijojnë brendin e rrobave “Made in Albania”

0

Dy familje nga Mirdita, të kthyera nga emigracioni, kanë hapur një biznes të suksesshëm të qepjes së kostumeve për meshkuj.

Atyre u është dashur për të punuar shumë për të arritur qëllimin e tyre për të krijuar një dyqan unik në kryeqytet 100% shqiptar dhe për ta përhapur atë në gjithë Shqipërinë dhe, pse jo për ta çuar atë përtej kufijve të Shqipërisë.

“Të qepësh kostumet e meshkujve është shumë e vështirë, është pothuajse si të qepësh një hartë”, shprehet njëri prej pronarëve të biznesit në një video, të cilin e ka publikuar Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me titullin “Njerëz të padukshëm”, transmeton albinfo.ch.

“Kur u ktheva nga emigracioni, erdha në Tiranë dhe mendova që me kursimet që kisha bërë andej të hap një biznes timin. Dhe me ndihmën e një mikut tim më sugjeroi që të filloja me kostumet dhe pantallonat për meshkuj. U dashurova pas kostumit dhe pas rrobave”, thotë ai, duke shtuar se bashkë me kunatin e tij menduan që përgjatë viteve të bënim një brand shqiptar.

“Kemi tre vjet që bashkëpunojmë dhe jemi pothuajse një familje dhe është kënaqësi të punosh me njerëzit e tu, sepse ti i lë një punë pa merak dhe kjo është një arsye që ne e mbajmë biznesin familjar dhe nuk kemi punonjës të punësuar”, thekson ai.

Pronarët e këtij biznesi që tashmë ka pasur sukses në Tiranë thonë se emrin “Made in Albania” duan ta eksportojnë edhe jashtë vendit”.