Tanimë 15 ditë vazhdon “vizita private” jashtë vendit e ish zëvendëskryeministrit Artan Grubi, i cili po kërkohet me fletarrest ndërkombëtar në lidhje me keqpërdorimet në Lotarinë Shtetërore në vlerë mbi 8 milionë euro, shkruan Alsat.
Policia që me Interpol e kërkon Grubin, nuk jep informata për lokacionin e tij, megjithatë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti thotë se me siguri ai gjendet diku në hapësirat shqiptare. Dhe për të qenë më tej kontrovers, sipas Ahmetit, Grubi nuk është arratisur, ani pse madje një polic u pezullua nga puna pikërisht për shkak arratisjes së Grubit.
“Zotëri Grubi, sipas informatave që i kam, nuk e kam takuar, është mirë. Vendndodhja e tij akoma është, sigurisht që është dikund në hapësirat shqiptare. Është një proces që duhet të marrë epilog. Artan Grubi nuk është arratis nga Maqedonia. Artan Grubi është i gatshëm të përgjigjet para organeve të drejtësisë, të respektojë ligjet, por jo me drejtësi hakmarrëse e selective”, tha Ahmeti.
Ahmeti, siç e dëgjuat madje flet në emër të Grubit, por kërkon garanci për vijimësinë e procesit gjyqësor. Në rrethana të një shteti me demokraci të etabluar, politikanët nuk do t’i kishin lejuar vetes të flasin në emër të personave që i kërkon Interpoli, apo të transmetojnë mendime e qëndrime të tyre, e aq më shumë të kërkojnë garanci nga pushteti gjyqësor.
Për të qenë ironike, Grubi është futur në Listën e Zezë, pasi amerikanët posedojnë prova për marrje ryshfeti pikërisht për ndërhyrje në gjyqësor, nga i cili sot Ahmeti kërkon garanci.
Megjithatë, mbase nuk është e rastësishme qasja e Ahmetit ndaj rastit të Grubit duke e pasur parasysh se vetë Grubi e ka pranuar që ai bën, atë që i thotë Ahmeti.
“Nuk jam person i ri, nuk jam fëmijë. Por, të gjithë e dinë se në politikë unë do të bëjë ashtu siç do të më thotë Ali Ahmeti. Nëse Ali Ahmeti më thotë të shkojmë me LSDM-në, do të shkojmë me LSDM-në, nëse Ali Ahmeti më thotë të punojmë në atë lidhje si strategji. Shihem si pasues i tij, ushtar, si ta them aktivist, anëtar, i cili beson në të dhe që është në politikë për të. Unë kam hyrë në politikë për atë”, kishte thënë Grubi.
Në fakt, këtë e dëshmoi edhe me vendimin për tërheqje nga jeta politike, kur para se ta shpall vendimin në Facebook, Ahmeti, e paralajmëroi para mediave, duke e cilësuar Grubin njeri të përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm.
“Unë mendoj se zotëri Grubi është i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm, nuk ka nevojë ta largojë partia, zotëri Grubi sigurisht që do të tërhiqet vetë nga të gjitha funksionet e partisë”, kishte thënë Ahmeti.
BDI-ja, të cilës dy vite me radhë i vendoset nga një funksionar i lartë në Listë të Zezë të SHBA-së, po këmbëngul për veting.
Përsërisin thirrjen për miratimin e Ligjit për masa restriktive ndaj personave të sanksionuar nga SHBA. Ndërkaq, mosmiratimin e ndërlidhin me interesa të oligarkëve, duke mos përmendur emra konkret.
Paraprakisht, funksionarët e BDI-së kishin deklaruar se oligarkë maqedonas, dëshirojnë ta shkatërrojnë BDI-në. / Alsat.mk