Ku është Fiat Punto i LDK-së?

0

Enver Rrobelli
Këto ditë gazetarët në Prishtinë duhet të jenë të vëmendshëm dhe të shohin nëse LDK po e nxjerr nga garazhi atë Fiat Punton për të shkuar tinëz te Hashim Thaçi në shtëpinë e re në Çagllavicë apo te Behgjet Pacolli në Hajvali për të kurdisur ndonjë koalicion. Në maj të vitit 2014 krerët e LDK-së, për të mos rënë në sy, shkuan inkognito në vilën e Behgjet Pacollit në Hajvali – me një Fiat Punto! Shkuan për ta lutur Pacollin për të bërë koalicion parazgjedhor. A ishte ai Fiat Punto pronë e Ismet Beqirit, Lutfi Hazirit apo Agim Veliut? Historianët do të na tregojnë edhe këtë detaj dikur, siç do të na tregojnë nëse në vilën e Pacollit është e varur në murin e nderit edhe fotografia e Selim Broshës, agjentit të UDB-së dhe përgatitësit të vrasjes së patriotëve shqiptarë në Perëndim, me të cilin Pacolli ka pasur një raport shumë të ngushtë në vitet 80-të… [Meqë drejtësia nuk vepron, edhe për Pacollin vlen supozimi i pafajësisë derisa të ballafaqohet një ditë me ligjin]. Portalet e afërta me PDK-në, por edhe vetë Pacolli kanë njoftuar se kur Isa Mustafa e Ismet Beqiri shkuan te vila e Pacollit, në një ambient tjetër të vilës ishte – kush tjetër pos Hashim Thaçi, atëbotë kryeministër. Isa Mustafa me shokë hanin darkë me Pacollin, e një kat më poshtë rrinte ujku. Atëbotë koalicioni i LDK-së me partinë private të Pacollit nuk u bë, sepse si të vendoste Pacolli pa aminin e Thaçit? Siç po shihet, të dashura lexuese e të dashur lexues, krejt historia politike e viteve të fundit e Kosovës dhe krejt pisllëqet e saj shpjegohen me një rrëfim për një veturë të një marke italiane.