Ku nuk ka ligj, nuk ka liri

ina-online
ina-online

30/12/2023

Shkruan: Arben Malaj

Liria e mohuar për 110 mijë dosje të zvarritura pafund. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për trajtimin e ankesave për zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe veçanërisht rekomandimi i saj se situatat e jashtëzakonshme kërkojnë zgjidhje të jashtëzakonshme është mjaft pozitiv dhe shpresëdhënës.

Për ta bërë më të qartë analizën në reformën në drejtësi, nuk po fokusohem te gjysma plotë gotës së reformës kur përfshihet ngritjen e SPAK-ut dhe dhënien fund të kulturës së mosndëshkimit. Që në fillim më duhet të theksoj se funksionimi i shtetit ligjor është një e mirë publike nga e cila duhet të përfitojnë të gjithë shqiptarët njëlloj.

John Locke – filozof i shekullit te XVII do të theksonte se: “Thelbi i ligjit nuk është të shfuqizojë apo të frenojë, por të ruajë dhe zgjerojë lirinë. Sepse aty ku nuk ka ligj, nuk ka liri”.

Shembuj të të mirave publike përfshijnë mbrojtjen kombëtare dhe sundimin e ligjit. Sipas Bankës Botërore, mosfunksionimi i shtetit ligjor pengon rritjen e besimit të publikut në institucionet kombëtare. Po kështu, Banka Botërore arrin në përfundimin se dhënia fund e varfërisë ekstreme dhe rritja e prosperitetit në një planet të jetueshëm është i lidhur pazgjidhshmërisht me sundimin e ligjit.

Disa nga efektet kryesore negative nga drejtësia e mohuar për rreth 110 mijë raste përfshijnë: besueshmëria publike e qeverisë në tërësi dhe e sistemit gjyqësor në veçanti është dëmtuar ndjeshëm. Pa kredibilitet publik, qeveritë janë të dobëta dhe problematike; rënia e besueshmërisë së reformës në drejtësi.

Qytetarët ndjejnë efektet pozitive dhe negative të reformës në drejtësi bazuar në rastet e tyre konkrete; kostot sociale janë të rënda, janë rreth 300,000 persona (109,000 raste x 3 persona për familje) që po paguajnë kosto të rënda për shkak të vonesave të zgjatura; tensionet sociale mes palëve në gjykim priren të rriten, deri në konflikte dhe vrasje mes palëve; efekti ekonomik nga vonesat e këtyre dosjeve janë qindra miliarda lekë të paangazhuara në ekonomi dhe për një kohë të gjatë; efekti social nga zgjatja e çështjeve gjyqësore, duke vonuar dhe penguar investimin e tyre në ekonomi, prodhon papunësi dhe varfëri; dobësimi i qeverisjes është një kosto që vjen nga zgjatja e proceseve gjyqësore, pasi vonesat krijojnë rrezik real për rritjen e korrupsionit.

Politikat e mira publike në luftën kundër korrupsionit duhet te reduktojnë faktorët korruptues, jo thjesht ndëshkimin e të korruptuarve. Fundi i mos ndëshkueshmërisë është arritja më e madhe e reformës në drejtësi. Por pa funksionimin e shtetit juridik në të gjitha aspektet, reforma në gjyqësor mbetet e paplotë dhe e paqëndrueshme; dobësimi i administratës publike është një kosto tjetër negative. Vonesat në gjykata kanë prekur rëndë administratën publike.

Shumë shkarkime nga puna në administratë që aktualisht janë në gjyq janë bërë për motive personale apo edhe partiake. Shumica e largimit te tyre janë përdorur për të krijuar vende të reja pune dhe për t’i përdorur ato për nepotizëm dhe shitje korruptive të vendeve të punës. Janë rreth 70 milionë euro ose 7 miliardë lekë që u mbingarkohen taksapaguesve shqiptarë të varfër për shkak të pagesës së vendimeve gjyqësore të largimeve joligjore nga puna. Është koha të vendoset barazi para ligjit për të gjithë personat vendas ose të huaj.

Më konkretisht, bazuar në Kushtetutën e vendit tonë, vendimet e gjykatave ndërkombëtare duhet të paguhen me prioritet. Por kjo e bën të vështirë respektimin e të njëjtit status për vendimet e gjykatave shqiptare. Ne nuk mund të ndryshojmë kushtetutën sepse ai parim synonte rritjen e sigurisë juridike për investitorët e huaj. Por në rastin konkret mijëra shqiptarë jo vetëm që nuk kanë siguri juridike, por trajtohen si të dorës së dytë. Respektimi i të gjithëve përpara ligjit në mënyrë të barabartë do të prodhojë më shumë pozitivitet në vend dhe do të ketë efekte pozitive ekonomike dhe sociale më shumë se të huajt që fitojnë gjyqe në gjykatat ndërkombëtare. Nuk është e lehtë të negociosh me të huajt mbi këtë parim të reciprocitetit te barazisë juridike, por nuk është e pamundur.

Në vitin 2004, SIGMA, kompania e konsulencës më e mirë në BE për reformat strukturore në vendet ish-komuniste, në negociatat me Ministrinë e Financave për ligjin organik të menaxhimit të sistemit buxhetore, kërkoi që në këtë ligj në rendin e pagesave nga Thesari duhet të vendosej e para në radhë, pagimi i vendimeve të gjykatave ndërkombëtare në favor të bizneseve të huaja. Nuk mund ta mbështesja atë propozim, duke i sqaruar ekspertëve të SIGMA-s se para pagave, sigurimeve shoqërore, pensioneve dhe pagesat për të papunët dhe invalidët nuk mund të vendosim asnjë detyrim tjetër.

E kemi diskutuar gjatë dhe ai kusht nuk është përfshirë në draft ligjin e paraqitur nga Ministria e Financave ne vitin 2004. Është koha për më shumë respekt të ndërsjellë në çdo bashkëpunim. Ne vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese duke e cilësuar të jashtëzakonshme situatën në gjyqësorin shqiptar ku janë rreth 109 mijë dosje të vonuara për gjykim sugjeron një zgjidhje të jashtëzakonshme. Reduktimi i vonesave tepër të gjata imponon një rritje të numrit të gjyqtarëve.

Cilat mund të ishin disa hapa konkrete për të zbutur/zgjidhur këtë krizë?

Mund të përcaktohet numri mesatar i dosjeve që çdo gjyqtar mund të trajtojë në një muaj; duhet garantuar e drejta për pagesë shtesë gjyqtarëve për dosjet e shqyrtuara mbi këtë numër mesatar; duhet vendosur një kufi maksimal të pranueshëm psh., jo më shumë se 25% të ngarkesa mujore. Stafi akademik në universitetet juridike publike dhe private mund të angazhohet në shqyrtimin e çështjeve të stërzgjatura, me procedura të qarta dhe me shpërblim të garantuar; mund të angazhohen studentë të drejtësisë me master shkencor. Ne kemi ndoshta mijëra studentë me master shkencor në drejtësi.

Ata mund të ofrohen dhe të angazhohen me pagese për gjykimin e çështjeve të pazgjidhura. Të gjithë të angazhuarit do të kenë kontratë për përgjegjësi morale e ligjore dhe përfitime financiare, por edhe aplikimin e bonusit për Shkollën e Magjistraturës apo promovimin në karrierën e tyre profesionale. Për shembull, kur u aplikua për herë të parë profesioni i “kontabilistit të miratuar” me urdhër të ministrit, stafi mësimdhënës në departamentin e kontabilitetit fituan automatikisht titullin “kontabilist i miratuar” ndërsa fazat e tjera të karrierës për profesione si “auditues ligjor” do t’i përfitonin përmes procedurave të licencimit.

Në përfundim, për të gjetur një zgjidhje për këtë situatë, nuk duhet të ketë asnjë justifikim se kuadri aktual ligjor po na pengon. Ligjet janë vullnet politik në përputhje me disa parime të rëndësishme dhe në kontekstin e situatave konkrete. Ato nuk janë ligje natyrore të pandryshueshme, të vërtet uara si të tilla. Ndërsa ligjet që japin zgjidhje janë vullneti politik, ku sipas demokracisë deputetët kanë legjitimitetin dhe fuqinë e deleguar nga zgjedhësit për t’i përmirësuar ato dhe për të gjetur zgjidhjen më të mirë edhe për situatat më të vështira. /Panorama/

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

ilir-meta

Shqiptarët garanci për të ardhmen europiane të Maqedonisë së Veriut

FURKAN SALIU

Lufta për fronin e BDI-së

bdi-ali-ahmeti-cair

Pse BDI brenda një jave braktisi idenë 15-vjeçare për President Konsensual?

andi-bushati

Sa VLEN Albin Kurti në Maqedoni?

kim-mehmeti

Aty ku të gjithë majmen nga varfëria e popullit!

Bekim Qoku

Qoku: Ahmeti dhe BDI larg Kosovës dhe afër Serbisë

Daut Dauti

Nga Yeni (Novi) Pazari në Skopi (Shkup)

Ben-Wallace-696x464

Historia na e vërteton që Putin mund të mposhtet

arsim zekolli2

Ku po te dhemb Talo Kapidani?

INFO

NA NDIQ