Kujt dhe pse mund t’i pengojë forcimi i faktorit shqiptar në Maqedoninë Veriore?

0

Nga Abdulla Mehmeti

Cili do të ishte interesi më madhor politik dhe kombëtar i shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, në këtë situatë, se sa formimi i një qeverie të qëndrueshme, në të cilën raporti i forcave politike në qeveri, për reforma, konsolidimin e procese demokratike dhe forcimin e shtetit të së drejtës, ku shqiptarët mund të përfaqësohen me 32 zëra (vota) në raport me 42 apo 44 (të mos prejudikojmë në këtë rast) vota të partive të tjera politike pjesëmarrëse në qeveri, përkundër përfaqësimit vetëm nga një ose dy parti të shqiptarëve, me 15 zëra (vota) në atë qeveri?

Situata aktuale kudo në botë, në rajon dhe në vendin tonë nuk lejon shumë komoditet për të zgjedhur atë që është zgjidhje më e mirë politike për shqiptarët në Maqedoninë Veriore. Në fund të fundit, të gjithë deputetët e partive politike të shqiptarëve i kanë fituar mandatet nga qytetarët (votuesit) shqiptarë, interesat e të cilëve duhet t’i realizojnë përmes pushtetit, jo nga zyrat e partive politike.

Duke marrë parasysh situatën e përgjithshme në tërë hapësirën etnike shqiptare, shqiptarët në Maqedoninë Veriore kanë mundësi ideale ta demonstrojnë pjekuri politike në këtë rast, duke iu shmangur praktikave të deritashme, retorikës dhe filozofisë dështuese, për realizimin e interesave kolektive të shqiptarëve, në dobi edhe të proceseve integruese evropiane dhe euroatlantike, për konsolidimin e demokracisë dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Sipas rezultateve nga zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut, asnjë parti politike apo koalicion nuk mund ta formojë e vetme qeverinë e ardhshme, sidomos pa përfshirjen e partive politike të shqiptarëve.

Numri gati i barabartë i votave mes partive të pozitës dhe të opozitës, si në bllokun e partive të maqedonasve dhe të atyre të shqiptarëve, jep pak mundësi për ndonjë zgjidhje sipas shijes dhe ambicieve të krerëve të cilësdo parti politike, sidomos të partive të opozitës shqiptare.

Kjo situatë mund të tejkalohet shumë lehtë vetëm me vullnet të mirë, pjekuri politike dhe përgjegjësi kombëtare të krerëve të partive politike të shqiptarëve, por edhe me ndikimin e fuqishëm të faktorëve të tjerë jopolitik, klasës intelektuale dhe opinionit në përgjithësi.

Loja pozitë-opozitë, realizimi kinse i “qëllimeve më të larta kombëtare”, rritja e inateve personale mes liderëve dhe drejtuesve të tjerë të partive politike të shqiptarëve nuk mund të jenë produktive në situatën e krijuar, për të cilën janë fajtorë të gjithë, edhe drejtuesit e partive politike, edhe klasa intelektuale, edhe mediet dhe sidomos votuesit shqiptarë.

Përvoja e derisotme e partive politike të shqiptarëve nuk ka sjellë ndonjë rezultat përmes përçarjeve, inateve dhe deklaratave të njëanshme, tendencioze dhe pa asnjë bazë, në stilin siç deklarojnë disa liderë të partive politike të shqiptarëve: “mund të bashkëpunojmë me ato parti që e pranojnë programin e partisë tonë.” Jo, unë ua them hapur, asnjëra parti politike e shqiptarëve, së paku nga ato që i kemi lexuar, nuk kanë program politik që u përgjigjet nevojave kolektive dhe aspiratave historike të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore. Sipas nevojës kemi mundësi t’ua shpjegojmë këtë në detaje, sa larg janë nga ato përcaktime siç i deklarojnë.

Kështu siç janë partitë politike të shqiptarëve dhe siç është gjendja aktuale e popullit shqiptar në këtë shtet, për të mirën e tyre dhe në dobi të përgjithshme të qytetarëve që i përfaqësojnë, nuk duhet të hamenden në këtë udhëkryq, por duhet ta zgjedhin rrugën më të drejtë, më premtuese dhe me pritshmëri më të mëdha.

Përderisa askush nuk është engjëll në këtë mes, ndërsa djallit ende nuk i janë rritur brirët në atë masë sa të mos jetë i kontrollueshëm, duke pasur parasysh se liderët e partive të shqiptarëve i obligon edhe një Deklaratë e përbashkët (2017), e nënshkruar nga të gjithë këta liderë; përderisa liderët e partive politike të shqiptarëve bëhen bashkë, pa përjashtim, sa herë e kërkon nevoja, në takimet me kryetarin e shtetit, cila është arsyeja që në këtë rast të mos i lënë mënjanë dallimet, përçarjet dhe ndasitë mes tyre për formimin e qeverisë së ardhshme?

Në fund të fundit, kjo është qeveria e shtetit, e të gjithë qytetarëve të tij, jo vetëm e shqiptarëve. Prandaj, nuk do të ishte ndikimi i njëjtë i faktorit politike shqiptar në një qeveri ku ata do të kenë pozicion të dobët, apo në një qeveri me përfshirje më të gjerë të partive politike të shqiptarëve, pavarësisht nga orientimet dhe interesat e tyre.

Porosia ime, që mund edhe të keqkuptohet dhe kritikohet, përmban mesazhin më të qartë dhe dobiprurës për shqiptarët. Nëse realizohet, do të bindeni se çfarë uratash do të fitoni nga vetë qytetarët shqiptarë dhe sidomos nga faktori ndërkombëtar, për përkrahjen e të cilit kemi nevojë, si popull dhe si shtet, më tepër se kurrë më parë.

Përderisa përfshirja e partive politike të shqiptarëve, të ndara apo së bashku, në qeveri nuk nënkupton vetëm realizimin e interesave partiake, por interes të gjithë shqiptarëve, sigurisht që do të ishte më e dobishme pjesëmarrja dhe ndikimi më i fuqishëm i tyre në këtë qeveri.
Krijimi i ndonjë qeverie gjithëpërfshirëse, siç ka pasur më herët në këtë shtet, nuk ka dhënë rezultate, përkundrazi i ka thelluar problemet e trashëguara nga e kaluara.

Se kush mund të jetë “patriot” apo “tradhtar” në radhët e partive të shqiptarëve, ky debat duhet ta lihet për një kohë tjetër; se kush ka qenë në pushtet, sa ka qenë dhe çfarë ka bërë, edhe ky duhet të lihet për një kohë tjetër. Tani është koha kur shqiptarët në Maqedoninë Veriore duhet të demonstrojnë pjekuri politike dhe të nxjerrin përfitime më të mëdha.

Sikur edhe unë të isha vendimmarrës kryesor në formimin e qeverisë së re të Maqedonisë Veriore, nuk do ta kishe ndjerë veten më të sigurt me një qeveri ku jam pjesëmarrës, ku ndikimi i faktorit shqiptar do të ishte i dobët, se sa në një qeveri me pjesëmarrje dhe ndikim më të fuqishëm të faktorit politik shqiptar.

Mosmarrëveshjet, dallimet dhe dilemat mes partive politike të shqiptarëve do t’i pastrojë e ardhmja, ndërsa gabimet gjithmonë i vuajnë të qytetarët, pa dallim, jo edhe drejtuesit e partive politike, gati gjithmonë me interesa të lidhura me pushtetin, në cilindo nivel qoftë, nga pozita apo opozita.

Është një rast i mirë, kur për herë të parë në këtë shtet të përbashkët, pa çka se kush mund të jetë kryeministër, nëse raporti i forcave mes partnerëve në qeveri do të ishte: 33 vota shqiptare në raport me 42 apo 44 vota të partive të tjera, për realizimin e programit të qeverisë së re. Me këtë, edhe qeveria do të jetë më e qëndrueshme edhe faktorizim i shqiptarëve do të jetë më në nivel.

Me këtë siç pretendojmë ne, jo siç preferojnë liderët e partive politike të opozitës shqiptare, nuk do të shkojë BDI në opozitë, por do të përgjysmohej ndikimi i saj në qeverinë e ardhshme dhe në politikat e shtetit, do të vihen nën kontroll veprimet e funksionarëve të saj, për të cilat kritikohen, ndërsa do të forcohej dukshëm faktori politik shqiptar në tërësi. Nuk ndryshohet sjellja e një strukture partiake dhe qeverisëse përmes medieve, portale dhe kumtesave partiake të opozitës, por nga afër, përbrenda institucioneve të pushtetit, ku je edhe ti pjesëmarrës aktiv, me mundësi maksimale për t’i ndryshuar gjërat.

Programet dhe interesat e tyre, liderët dhe partitë politike të shqiptarëve le t’i demonstrojnë përmes ministrive që do t’i qeverisin në mandatin e ardhshëm. Nga këto parti kërkohet që t’i bashkojnë forcat, jo të pajtohen në programe dhe koncepte, apo të shkrihen në njëra-tjetrën.
Sa më parë që të arihen këto objektiva, aq më mirë edhe për qytetarët shqiptarë në Maqedoninë Veriore.(INA)