Kujt i bëjnë dëm, e kujt i sjellin fitim sulmet antishqiptare të Apasievit në Kuvend…?

Shkruan: Petrit Saraçini

KUJT I BËJNË DËM, E KUJT I SJELLIN FITIM SULMET ANTISHQIPTARE TË APASIEVIT NË KUVEND, OPOZITËS APO POZITËS SHQIPTARE?

Dhjetra portale i transmetuan sulmet antishqiptare të Dimitar Apasievit, deputetit të “Levicës”, i cili akuzoi qeverinë e re që priste votimin në Kuvend për “tirani të Marrëveshjes kornizë”, si dhe fjalët e tij drejtuar Arbër Ademit nga BDI, se në qoftë se don të debatojë me Apasievin, duhet të flasë maqedonisht.

Përveç përfitimit të përkrahjes së nacionalistëve maqedonas për Apasievin, kujt mendoni se i bëjnë dëm, e kujt i sjellin fitim këto sulme antishqiptare të Apasievit, partive shqiptare në pushtet, apo partive opozitare shqiptare, që kanë koalicion me Apasievin dhe “Levicën” në disa komuna dhe u fotografuan me të gjatë tentimit të dështuar për shumicë të re parlamentare?

Përveç Apasievit dhe qëllimeve të tija të errëta, disa shembuj nga e kaluara tregojnë se sulmet e tilla mund t’i sjellin përfitim vetëm BDI-së dhe askujt tjetër.

Vetëm kujtoni rastet e sulmeve të inskenuara të ndërsjella mes VMRO-së BDI-së gjatë regjimit të Gruevskit, Për shembull, përleshjen te Kalaja e Shkupit, që u solli fitore të dyja partive në zgjedhjet e vitit 2011 edhe krahas disponimit opozitar të votuesve.

E të mos flasim për zgjedhjet e vitit 2014, kur Gruevski kërkonte mbi 60 deputetë “që të mos e shantazhojnë shqiptarët”, ndërsa Ali Ahmeti, me retorikë po aq radikale, kërkonte 25 deputetë për t’u përballur me partnerin me të cilin ndante pushtetin. Të dyja partitë atëherë fituan vota si asnjëherë më parë.

Mos ta zgjas shumë. Nëse duan që të mos shndërrohen në batutë, sikur të isha opozita shqiptare në Maqedoni, e para që kisha bërë është që në të gjitha takimet e ardhshme me partnerët nga “Levica”, do të kërkoja që të vijnë me përkthyes.

Kaq prej Djaloshit me Topin e Kristaltë. Për të tjerat, le të kujtohen vetë, ose le të angazhojnë dikë që mendon edhe për këto gjëra, me qindra mija eurot që i marrin nga buxheti shtetëror, të cilin e mbushin edhe shqiptarët, e nga i cili paguhet edhe Apasievi që sulmon të drejtat kushtetuese të shqiptarëve. 😎
#NandIqni
#FaliminderitEdhePiJuve