Kumanovari 10 vjeçar pre e mashtrimit online, me figurën e tij tentuan të mbledhin para

0
Foto: Ilustrim

“Unë jam Olti. E kam mamin, babin dhe vllaun. Jetoj në Suedi. Jam mirë, s’kam nevojë i kam kushtet”, bën të ditur një kronikë e TV21.

Olti 10 vjeçar u bë viktimë e keqpërdorimit në rrjetet sociale. Prej ditësh qarkullon një fotografi e Oltit por me emër të rrejshëm të quajtur Alton. Në përshkrim fallco thuhet Altoni është nga Kumanova, vuan nga një sëmundje e veshkëve dhe se i duhen mjete për shërim.

Kontaktuam me familjen e Oltit. Babai i tij i tha TV21 se kur e pa Oltin në internet në atë paralajmërim, thjeshtë u shokua.

“E kishin marrë dhe e kishin keqpërdorur foton e djalit tim në Kumanovë. Kur e pamë na erdh shumë rëndë se djali jonë është mirë si drita dhe nuk e ka emrin Alton, nuk është 7 vjeçar. Ky është Olti, 10 vjeçar. Jetojmë në Suedi, jemi nga Kosova. Kur e pamë foton u prekëm shumë. Jemi ndjerë shumë rëndë”, tha Armend Paqarizi.

Familja Paqarizi është nga Kosova dhe jeton prej vitesh në Suedi. I ati tha se rastin do ta paraqesë në polici për. Ai bëri apel të mos keqpërdoren fëmijët për rastet e tilla pasi dëmtohen familjet dhe fëmijët të cilët me të vertetë kanë nevojë.

Nga ana tjetër, gazetarja Farije Dauti Bakiu e cila trajton rastet sociale dhe është aktive në Facebook, thotë se ka hasur në dhjetëra raste të cilat kanë keqpërdorur fotografi të fëmijëve të huaj për të përfituar materialisht në mënyrë jo të ndershme.

“Ishte paraqitur me emrin Berat një fëmijë që gjoja ka nevojë për trajtim mjekësor në Turqi për sëmundje. Dhe qysh në fillim fotografia më dukeshte e dyshimtë. Pastaj e kërkova në Google e pash se bëhej fjalë për një fëmijë nga Skotlanda. Pra ishte një forografi e marrë nga interneti dhe histori e trilluar”, deklaroi Farije Dauti Bakiu, gazetare.

TV21 kontaktoi numrin fallco që ishte publikuar për ndihmë por i njëjti tash më ishte i bllokuar. Disa nga rastet e tilla janë të paraqitur në MPB. TV21 pyeti në këtë dikaster për rastin e gruas nga Kumanova dhe sa raste deri tani MPB ka hetuar deri më tani, por nga aty nuk kishte përgjigje.

Keqpërdorimi i identitetit të personave në rrjetet sociale është i sanksionueshëm me ligj. Gjithashtu edhe vetë politikat e rrjeteve sociale garantojnë mbrojtjen e personalitetit të çdo përdoruesi duke mundësuar edhe opsionin “report”. /TV21