KUR MPOSHTET KËSHTJELLA… ZGJEDHJET SI SHKAS

0

Shkruan: Ismail Sinani

Në Mesjetë, atëherë kur njeriu ishte më i vlefshëm sesa vet arma, ai shihej si mjeti kryesor për të shembur bedenat e një kështjelle. Sot, shumë shekuj më vonë, bedenat nuk është se janë ndonjë pengesë e pakapërcyeshme, mirëpo megjithatë janë një simbolikë për gjithsecilin që dëshiron të arrijë një cak.

Skena politike në Maqedoninë e Veriut, ajo e sotshmja, për shumëkënd ka qenë e papritur, por njohësit e rrethanave politike e kanë ditur se konturet e ekzekutivit të ardhshëm, cilido qoftë ai, në fillim do të jenë shumë fragjile.

Ndonëse në kohë pandemie, turmat politike na krahun që po sfidonte politikat e partisë që ushtron pushtetin prej 18 vitesh, me një shkëputje të shkurtër prej disa muajsh në periudhën 2006-2008, mobilizuan këta të fundit për të nxjerrë “armën e tyre sekrete”, përmes së cilës, në konton e tyre arritën të grumbullojnë aq vota, sa sot të mund të thonë se janë legjitimë.

Mirëpo duket se ky rrëmbim i tyre psikologjik, se edhe një herë “ia hodhën” popullit, kësaj radhe vështirë se do të kalojë përballë guximit të atyre që, me ose pa të drejtë, ishin të bindur në fitoren historike në zgjedhjet e 15 korrikut.

Nëse para katër vitesh vendi ishte shumë larg “vlerave normale”, ndaj edhe u hoq qafe, kryeministri i asaj kohe, Nikolla Gruevski, sot, pas kaq vitesh, kur pista e udhëtimit shtetëror është shumë e qartë, qytetarët, ndonëse thellë të zhgënjyer, kërkesë parësore e kanë mirëqenien socio-ekonomike. Dhe, gjithë ata që në një mënyrë ose tjetër ishin të lidhur apo u shërbenin edhe politikave të Gruevskit, nuk dëshirojnë t’i shohin më në skenë.

Por, siç u tha, dita e zgjedhjeve u përmbyll me një rezultat pak a shumë të papritur ndër shqiptarët. BDI, ndryshe nga siç pritej, fitoi 15 deputetë, kurse koalicioni Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa, 12 deputetë.

Thënia e moçme “Ajo që s’të pëlqen ty të ta bëjnë, mos ua bëj të tjerëve”, kësaj radhe ka gjasa reale të përdëftohet në vepër, edhe pse në politikë asnjëherë dy edhe dy nuk bëjnë katër.

Kur në vitin 2006 Partia Demokratike Shqiptare, duke qenë humbëse në kampin politik shqiptar, u bë pjesë e koalicionit me VMRO DPMNE-në, të gjithë u ngritën(m) në këmbë që të vendoset parimi se qeveria duhet të përbëhet nga forcat politike kryesore që do ta fitojnë mandatin në taborin maqedonas dhe në atë shqiptar. Si rezultat i trysnisë për vendosjen e këtij parimi, më 2008 u zhvilluan zgjedhje të parakohshme, pas së cilave as që u hap debati nëse BDI – si fituese te shqiptarët – duhet të ishte pjesë e koalicionit të ardhshëm qeverisës. Ky parim vazhdoi deri në vitin 2016, kur të gjithë (ne), duke dashur ta largojmë nga pushteti VMRO DPMNE-në, e thyem parimin “fituesi me fituesin” dhe pranuam që qeveria e ardhshme të krijohej nga BDI, si fituese në kampin shqiptar, dhe LSDM, ndonëse e dyta te maqedonasit. Arsyetimi ishte shumë i thjeshtë: vendit i duhen reforma dhe duhej gjetur formulën për anëtarësim në NATO…

Sot BDI ka ngelë e trishtuar. Po bie në gropën e vet. Ose, të paktën, ashtu po duket nga kjo perspektivë.

Insistimi i këtij subjekti se “janë ata që duhet t’i përfaqësojnë shqiptarët”, nga shumëkush po shihet si një shfaqje e zbehtë, që nuk ia vlen as për kritikë.

Fjalët e mirësjelljes dhe nervozizmave, që eksponentë të tyre shfaqin nëpër mediat maqedonase, dhe ndonjëherë tek ato shqiptare, ngjallin pezmin e atyre të sinqertëve, por jo edhe të klientelistëve, që i kanë votuar me bindjen se premtimet e tyre do të bëhen realitet.

Mos të harrojmë! Kjo parti folklorin e saj politik në këto zgjedhje e ngriti deri në atë shkallë, saqë atyre që do ta votojnë u premtoi se “do ta bëjnë kryeministrin e parë shqiptar”. Kjo ide ishte aq qesharake, saqë nuk e meriton as të analizohet, pasi që botërisht dihet se kryeministri, përjashtuar qeveritë e pakicave ose të atyre që kanë marrëveshje rrotacioni, në parim zgjidhet nga partia fituese që del në zgjedhje.

Sidoqoftë, në ditët në vijim piktura politike do të shihet edhe më qartë. Ajo që mund të thuhet tani është se muret e bedenave të kështjellës tashmë janë çarë. Mbetet të shihet nëse ushtarët do të mund të ngjiten shkallëve deri në majë…