Kur mund të bien çmimet e banesave?

Një çift nga Prishtina, tash e sa kohë janë duke mbledhur para për ta blerë një banesë në Prishtinë.

Por, tani kur ata duan që ta gjejnë zgjidhjen, u është vështirësuar puna. Kjo meqë janë rritur dukshëm çmimet e banesave, sipas tyre, kudo që kanë shikuar, metri katror sillet rreth 1100 euro.

“Kjo për neve është shumë. Mendonim me nga 700 euro me gjet metrin katror si më herët. Dhe tani metri katror sillet rreth 1100 euro”, thonë ky çift për arbresh.info në kushte anonimiteti.

Se ka rritje të çmimeve në banesa, e thonë edhe nga Shoqatën e Ndërtuesve të Kosovës.

Faton Hoxha, kryetar i Shoqatës së Ndërtueseve të Kosovës, për arbresh.info thotë se çdo ditë po ka ndryshime të çmimeve, pasi që edhe çmimet e materialeve ndërtimore janë rritur shumë.

“Nuk kanë tendencë për me ra qysh kanë filluar prej vitit të kaluar me luftën në Ukrainë, edhe pse nafta dhe hekuri ka ra mirëpo çimentoja dhe druri kanë çmimet e larta dhe kjo situatë është e çorientuar”, thotë Hoxha.

Në anën tjetër, Mendim Blakaj, vlerësues i licencuar, mendon se shumë shpejt pritet të stabilizohet tregu, që sipas tij aktualisht ka çmime të larta rreth 20%.

“Ka rritje rreth 20% të çmimeve në blerjen e banesave, por nuk mendoj se do të zgjasë shumë, tash edhe pak do të stabilizohet. Kur janë çmimet e larta kërkesa për blerje bien, në momentin që bien kërkesa çmimet stabilizohen. Faktorë tjetër rritja e normave të interesit, rritja e normave të kredisë, janë tu u stabilizuar dhe norma e inflacionit është tu ra”, tha Blakaj.

Por, Burim Berisha, njohës i fushës së ekonomisë, nuk beson se do të bien çmimet.

Ai thotë se edhe pse ka ndërtime të shumta në kryeqytet, prapë çmimet janë të larta.

“Kur ka shumë objekte çmimi duhet me kanë me i lirë e këtu është veç duke u rritë. Shumica e njerëzve mjetet që kanë mendojnë me investu në Prishtinë, se vlera e saj ka me u rritë se e dinë që është kryeqytet dhe mundet me dhanë vlerë më të madhe në të ardhmen. Kurse në qytete e tjera njerëzit po frikohen me investu se është krizë”, tha Berisha.

Aktualisht, një metër katror i objekteve në ndërtim shkon nga 900-1000 euro, derisa objektet e gatshme nga 1000-1200 euro për metër katror./Vjollca Gajraku/arbresh.info/