Kur muzika ishte e shenjtë, jo (e) shit(shme)

Për nxënësit e tij, Aristotelin, i cili mësuesin e tij e donte shumë, por të vërtetën edhe më shumë, muzika futej në mendjen e tij kategorikale, si një imperativ kategorik i llojit të vet, si kategori katarsike, spastruese dhe purifikuese e shpirtit njerëzor, që e shpërlan dhe filtron shpirtin njerëzor nga rëndesa e vuajtjeve të fatit

Nga Xhezair Dashi

Pitagora s’ishte babai i numrave, por i harmonisë. Për të triviumi (gramatika, retorika, logjika) ishte trivial, kurse kuadriviumi (aritmetika, gjeometria, astronomia, dhe në fund, muzika) ishte vetë hierarkia e jetës. Kjo hierarki shkonte prej njëshit, numrit, numrit aritmetik dhe pikës gjeometrike, deri te pikat qiellore, planetët, sferikë, si format më të përsosura gjeometrike, dhe përfundonte në harmoninë e sferave, të cilat në harmoninë e mistikalitetit të tij matematikor ishin harmoni muzikore. Matematika dhe fizika inherente në muzikë, gjë që përbën studimet më të vlefshme që Pitagora i ka lënë trashëgimisë perëndimore, na shpjegon faktin se pse kaq shumë matematikanë e fizikanë, por edhe shkencëtarë në përgjithësi, i janë dhënë pas muzikës. Brian May, Art Garfunkel, Dan Snaith, Johnny Buckland, të kohës sonë, dhe Albert Einstein, Benjamin Franklin, Alexander Borodin, Manuel P.R Garcia të mëhershëm, për t’i përmendur vetëm disa. Për antikët muzika qëndronte mbi premisa morale. Zemra dhe shpirti i gjithçkasë së gjallë. Në ‘Republikën’ e Platonit muzika është “më sovranja nga të gjitha artet sepse ritmi dhe harmonia depërtojnë në rrënjët e shpirtit dhe e pushtojnë atë, dhe në ato rrënjë, rrënjosë edhe mirësinë”.

Për nxënësit e tij, Aristotelin, i cili mësuesin e tij e donte shumë, por të vërtetën edhe më shumë, muzika futej në mendjen e tij kategorikale, si një imperativ kategorik i llojit të vet, si kategori katarsike, spastruese dhe purifikuese e shpirtit njerëzor, që e shpërlan dhe filtron shpirtin njerëzor nga rëndesa e vuajtjeve të fatit. Eudaimonia është lulëzim, lulëzimi është muzikor. Një muzikan i dëshpëruar i Gjenevës, që mendonte muzikalisht, që bënte muzikë, që fliste muzikë, ishte fryma e parë e lëvizjes romantike, revolucionit francez, autoriteti mendor i Kantit, Schopenhauerit, por edhe Nieztzsches, gjë që është implicite në shkrimet e tij; formësoi ndjeshmërisht Shillerin dhe Gëten, skulptoi botëkuptimin e Tollstoit, u dha shkëndijat e poezisë së Bajronit, Uordsuorthit, e Shellit. Ky ishte Zhan Zhak Rusoi, që Enciklopedisë së parë shkencore ia shkroi të gjithë artikujt e muzikës. Si mund të ishte një Enciklopedi enciklopedi, në kuptimin etimologjik të fjalës, një rrethim i gjithë dijeve të botës, pa muzikën brenda perimetrit që është rrethuar? Enciklopedia është sistem i dijeve, dhe sistemet duhen të jenë harmonike, të bashkë-akordojnë, të jenë nën simetri ose asimetrinë simetrike muzikore.

“Pa muzikën, jeta do të ishte gabim”, shkroi Nietzsche. “Një jetë në të cilën unë nuk do të luaja muzikë është e paparemendueshme për mua. Unë në muzikë shoh ëndrra me sy hapur. Jetën time e shoh vetëm me muzikë, dhe kënaqësia ime e vetme është në të”, shkroi Ajnshtajni. Për Heraklitin e deri te Hegeli, rrjedha është jetë, jeta është ritëm, ritmi është puls; ajo që s’ka puls, është e vdekur, është stasis; ajo që është dynamis, lëvizë. Panta rhei, gjithçka rrjedh. Ajo që qëndron e njëjtë, statike, nuk ka muzikë e as jetë. Nipi i Ramoit, kompozitorit të madh francez, personazhi distonant i Didrosë, ishte i çakorduar me botën sociale, por qenësimi i tij fizik ishte “e ndërtuar në gatishmëri harmonike” me universin, dhe muzika ishte molekula paternale e tij.

Ai ishte produkt muzikor në gjenezën e tij, edhe pse këndonte vetëm këngët që u tingëllojnë ëmbël vetëm padronëve të tij. Gjuha për të pa muzikën, ishte flatus vocis, zë i zbrazët; njerëzit që flasin e s’këndojnë, s’thonë asgjë, por ata që s’thonë asgjë e këndojnë, thonë shumë. Gjuha muzikale dhe muzikaliteti i gjuhës ishte debat që vlonte në ajër të salloneve aristokratike, dhe Rusoi ishte edhe më radikal se Ramoi e Didroi. Ai e deklaronte të gjithë muzikën franceze të pamundur. Gjuha franceze dhe muzika franceze janë kontradiksion termash, është brutale për veshin muzikal të dëgjosh muzikë frëngjisht, thotë Ruso. “Unë kam konkluduar që francezët nuk kanë muzikë; nuk do të kenë kurrë. E po të vije ajo ditë që ata do të kenë muzikë, aq më keq për ta”, shkroi Ruso në letrat e tij për muzikën franceze. Për Platonin muzika nuk ishte vetëm çështje e shijeve kaotike dhe amorfe në pasionet popullore të demosit, por çështje e gjykimit të mendjeve më të larta, të pjekura, që përmes harmonisë së shpirtit me trupit, ndjenjave me mendjn, diturisë dhe perceptimit, dallojnë të bukurën dhe ëmbëlsinë melodike si harmoni sonike, dhe harmoninë sonike si të bukur. Muzikë nuk është vetëm të perceptosh perfeksionin, por edhe të perfeksionosh perceptimin.