“Kurrë s’kam hequr një vajzë universitare nga shkolla meqë ishte e mbuluar”

Kur një vajze që familja e ka edukuar, mirë a keq, të mbajë shami, nuk e pranon në shkollë, po kjo a nuk do të ishte një shkelje e lirive të saj? A nuk do të ishte një shkelje e të drejtave të saj një herë nga familja pastaj edhe nga shkolla? A nuk do t’ua nxinim përfundimisht jetën këtyre vajzave në vend t’i merrnim për dore, me dashurinë e mësuesit, dhe t’u edukonim humanizmin, lirinë, gjithçka…

Profesori dhe akademiku Artan Fuga përkrah iniciativën e çdo vajze shqiptare që të mbajë shami në kokë si simbolikë fetare islame sa kohë ajo respekton ligjin. Kurse debatin politiko-mediatik e konsideron krejt të kotë përderisa çështja sipas tij është zgjidhur në Kushtetutën e Kosovës, në orientimin e shtetit drejt vlerave Perëndimore. Akademiku i njohur thotë për Gazetën “Panorama.al” se duhet respektuar liria e besimit dhe simbolikat e saj dhe se vajzat kosovare duhet të vendosin vet nëse duan ose jo mbajtjen e shamisë në kokë në ambientet shkollore. Artan Fuga risjell në vëmendje se gjatë mësimdhënies nuk ka hequr një vajzë universitare nga shkolla meqë ishte e mbuluar.

Profesor, në Kosovë është rikthyer debati për mbajtjen e shamisë nga vajzat nëpër shkolla, ku prej gati dy dekadash ka përplasje mes atyre që janë pro mbajtjes së shamisë dhe atyre që e kundërshtojnë një gjë të tillë. Si e konsideroni këtë debat publik lidhur me projektligjin për mbajtjen ose jo të shamisë në ambientet shkollore në Kosovë?

Është e vërtetë që në mediat kosovare shoh një lloj debati aktualisht lidhur me lejimin apo ndalimin e mbajtjes të shamisë si simbolikë fetare islame nga vajzat në shkollë. Shoh gjithashtu që marrin pjesë politikanë, pedagogë, intelektualë, përfaqësues të fesë, deputetë, etj. Por nuk di nëse është një debat që zien ose jo në shoqërinë kosovare. Pra, a është një debat që bëhet në radhë të parë mes të rinjve vetë, mes vajzave, mes djemve, në familje, mes komshinjve, mes njerëzve pra në kafene. Pra, nuk di nëse është një debat i stisur nga lart, apo vjen deri në majat e dialogut social, në media, në kuvende si jehonë e buçitjes nga poshtë. Nga sa e masë unë, sidoqoftë pak nga larg dhe tërthorazi gjendjen e debatit në Kosovë, por të debatit real në mes të popullsisë, nuk shoh ndonjë “përplasje” sikundër më pyesni ju. Unë dalloj dialogun, debatin, debatin e elitave politike, apo debatin, intelektual, debatin social të thellë në shoqëri, nga përplasjet në shoqëri për çështjet fetare apo botëkuptimin fetar. Përgjithësisht debatin, dialogun, kundërshtitë në opinionin publik kur ato kryhen në forma demokratike dhe të kulturuara pavarësisht ndonjë toni ndonjëherë të lartë, ndonjë teprimi jo të rrezikshëm për paqen sociale, e quaj gjithmonë të shëndoshë. Nuk ka gjë më të keqe, më të neveritshme, më të rrezikshme për një komb kur opinioni shoqëror fle i hipnotizuar, i anesteziuar, i vdekur si në Shqipëri. Kjo është e rrezikshme shumë. Kurse si debat politiko-mediatik e konsideroj krejt të kotë.

Pse?

Sepse çështja është zgjidhur në Kushtetutën e Kosovës, në orientimin e shtetit të Kosovës drejt vlerave Perëndimore. A është shpallur liria e besimit? Kjo do të thotë që familja ka të drejtë që t’i edukojë fëmijët me atë besim që do dhe të edukojë ata që të respektojnë ato simbolika fetare që janë në traditat e saj. Kryqin në qafë, kippan në majë të kokës, kokat e bukura zbuluara sikurse i ka bërë nëna Natyrë, apo edhe në respekt të shamisë. Mjafton mos t’i përçudnojë, mos të ushtrojë dhunë, mos dëmtojë shëndetin dhe dinjitetin e tyre moral.

A thotë Kushtetuta e Kosovës së është shtet laik?

Po! Pra, çështja e besimit nuk është çështje e shtetit, për aq sa respekton ligjet. E të tjera. Kurse i famshmi udhëzim administrativ i vitit 2014, flet për domosdonë e mbajtjes të uniformës në shkollë, por se çfarë kuptohet me uniformë dhe deri ku shtrihet koncepti i uniformitetit shkollor në veshje, kjo mbetet të përcaktohet. Një urdhër sqarues nga ministrja për arsim e zgjidh në çast këtë. Të tjerat janë kot, sepse në planin normativ çështja është shumë e qartë.

Pse ky debat në një kohë kur Kosova pret liberalizimin e vizave me vendet e BE-së?

E shoh pa asnjë lidhje. Pse ka ndonjë problem Evropa ta zëmë kur vende evropiane dhe perëndimore e tolerojnë këtë, sepse e quajnë çështje që ka të bëjë me lirinë e familjeve për të edukuar deri në një farë moshe fëmijët e tyre. Edhe këtu ka një rivalitet dhe bashkëpunim që ndonjëherë mund të zgjidhet me një konkurrim vlerash në afatgjatë. Shkolla laike publike duhet të edukojë respektin e simboleve edhe fetare, por edhe barazinë mes vajzave dhe djemve. Por, ka komunitete që kanë ndonjë ngarkesë simbolike për femrat më të lartë se për burrat. Kjo nuk është në përputhje sipas meje me këtë barazi gjinore.

Por, meqë unë e kuptoj kështu, dhe përpiqem që edhe vajzat dhe djemtë ta kuptojnë kështu, kjo nuk do të thotë që të bëhem i egër, cinik, përjashtues, të stigmatizojë atë pjesë të miqve, komshinjve që mendojnë ndryshe nga unë. Evropa mendoj se deri këtu duhet të shohë me sy pozitiv që edhe vajzat që familjet iu kërkojnë të mbajnë shami në kokë si shenjë fetare dalluese të vijnë në shkollën laike, të arsimohen, të emancipohen. Mendoni ju se çfarë gjendje do të përjetonin ato vajza të vogla që në shtëpi do të kishin presionin për të mbajtur shaminë në kokë, dhe nga ana tjetër për këtë shkak një fytyrë e egër drejtori nga ana tjetër e kangjellave të gardhit të shkollës t’u bërtasë, t’u çirret : Jashtë! Unë po të isha ai drejtor, edhe nëse do të më thoshin largoji ato vajza, do t’u përgjigjesha: Ikni more qërohuni!