Kurthi i rritjes ekonomike!

0

Elmi Aziri

Rritja ekonomike e projektuar për vitin 2019 dhe e arritur në dy tremujoret e parë nuk dallon nga normat e arritura të rritjes ekonomike në vitet e kaluara. Kemi përjetuar vite me rritje edhe më të madhe ekonomike, prandaj nuk paraqet ndonjë moment për ekzaltim qeveritar aq më tepër kur kemi rënie të punësimit në industri. Kjo don të thotë se ekonomia e Maqedonisë së Veriut ka probleme strukturore dhe kërkohen reforma të vazhdueshme për përmirësimin e saj.
Këto norma të rritjes ekonomike janë të pamjaftueshme që edhe qytetarët të ndjejnë rritje në të ardhurat e tyre, gjë e cila dëshmohet edhe në rastin e RMV-së. Si është e mundur që të kemi vazhdimisht rritje ekonomike dhe zvoglim të papunësisë e mos të jetojmë më mirë? Prap problemi është në strukturë. Kemi strukturë të disfavorshme ekonomike, respektivisht dominon prodhimtaria punueso-intenzive që krijon vlerë të shtuar minimale dhe që që paguhet shumë pak. Në RMV 85 % e të punësuarve paguhen me më pak se 24000 denar dhe rritja prej 5% e rrogës nuk do ti zhvendos gjërat në stad më të lartë, aq më tepër kur inflaconi i projektuar është 2% që nënkupton rritje reale të rrogës për vetëm 3%. Nevojitet rritje substanciale e rrogave për periudhë më të gjatë. Gjithashtu, këtu ndikim kanë edhe ikja masive e të rinjëve dhe elementi demografik. Kjo edhe më tepër e vështirëson gjendjen, sepse ikja e pjesës më vitale ndikon në zvoglim të produktivitetit.
Me këtë ritëm të rritjes ekonomike nevojiten 25-30 vite që të dyfishohet standardi jetësor. Sa janë të rëndësishme normat e rritjes ekonomike po aq e rëndësishme është edhe shpërndarja e saj. Fokusi duhet të jetë në cilësi me të cilën në këtë rast i referohemi zhvillimit. Fokusimi në sasi (rritje ekonomike) duke lënë anash cilësinë (zhvillimin ekonomik) krijon vetëm iluzion si në shembujt e lartëpërmendur. Në vend se të prodhojmë pjesë për automobila, duhet të prodhojmë automobila, që do të mundësonte fitim më të madh, vlerë të shtuar më të madhe, punëtorë të paguar më mirë dhe natyrisht standard më të lartë jetësor. Natyrisht se kjo nuk është lehtë e arritshme, por jo e paarritshme. E për këtë, përpos tjerash nevojiten edhe institucione kualitative, shtet i së drejtës, efikasitet dhe paanshmëri e sistemit gjyqësor (80 % e kontesteve gjyqësore në Hollandë i fiton biznesi privat) etj. Por si duket këtu tek ne mungon edhe dëshira edhe vullneti.